Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë njoftuar se kanë filluar hetime ndaj pesë zyrtarëve policorë të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë, pjesë e Departamentit Kufitar të Policisë së Kosovës, për dyshimin e përvetësimit në detyrë.
Sipas njoftimit të IPK-së, bazuar në të dhënat dhe provat e siguruara deri tani, “ekziston dyshimi se zyrtarët policorë më 13 mars 2026, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, kanë kryer veprën penale ‘Përvetësimi në detyrë’”.
Hetimet tregojnë se pas sekuestrimit të mbi 100 paketave me cigare nga persona të dyshuar për kontrabandë, “dyshohet se zyrtarët policorë i kanë përvetësuar 24 paketa me cigare, rreth 12,500 paketa në vlerë prej afërsisht 30,000 euro, ndërsa në Doganën e Kosovës i kanë dorëzuar vetëm 84 paketa të dyshuara si të kontrabanduara”.
Pas veprimeve hetimore, një zyrtar policor është arrestuar dhe me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa katër zyrtarët e tjerë po hetohen në procedurë të rregullt.
IPK ka rekomanduar gjithashtu suspendimin e të pesë zyrtarëve të përfshirë. “IPK, në interes të hetimit dhe pasi që natyra e veprës penale lidhet drejtpërdrejt me keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe integritetin e zyrtarit policor, i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për të pesë zyrtarët e përfshirë”, theksohet në njoftim.
Inspektorati Policor i Kosovës ka siguruar opinionin publik se “çfarëdo ankese e qytetarëve për përfshirje eventuale të zyrtarëve policorë në vepra penale do të trajtohet me profesionalizëm të plotë”.




