Prej 27 vitesh, mungesa mbeti e njëjtë.
E këtë të diel, asaj iu shtua edhe një vend kujtese.
E gjithë kjo, pasi në fshatin Shajnë të Dragashit u përurua lapidari kushtuar dëshmorëve Fetah Sulejmani dhe Fisnik Ibrahimi.
E emocionet më të forta i përjetuan familjarët, të cilët e panë emrin e më të dashurve të tyre të përjetësuar në memorial.
“Jam e lumtur që e kam pas këtë djalë trim e krenare që më ka ra për luftë”, thotw Xhanije Sulejmani – nëna e Fetahut.
E për djalin Enisin, vitet nuk e kanë zbehur mungesën e të atit, të cilin e humbi kur ishte vetëm katër vjeç.
“Sado që ndihesh krenar të mungon babi i ke ato dhimbjet, nostalgjia, kujtimet, gjatë luftës unë kam qenë vetëm 4 vjeç”, thotw djali i Fetahut.
Për bashkëluftëtarët, ky lapidar është kujtesë e përhershme për sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
“Sot vërtet është një ditë e veçantë për të gjithë ne, sepse po e kthejmë kujtesën, po e kthejmë nderimin për sakrificën e atyre që nuk janë më në mesin tonë. Por përpos kësaj, kjo është edhe një mesazh i mirë për brezat që vijnë, për të rinjtë tanë: që mos ta harrojnë vlerën e lirisë, mos ta harrojnë sakrificën, mos ta harrojnë rrugëtimin që e kanë bërë brezat përpara drejt lirisë së Kosovës, që ne sot e gëzojmë”, thotw Rrustem Berisha – komandant i zonës.
Se ky memorial është amanet për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë, u tha edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Sharr.
“Ky lapidar nuk është thjesht një mermer. Ai është amanet, është thirrje e brezave të sotëm dhe të ardhshëm që mos ta harrojnë kurrë se liria nuk erdhi si dhuratë, por si fryt i sakrificës së dëshmorëve tanë. Në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës, dega në Shar, ju siguroj se kujtimi për Fetahon e Fisnikun do të mbetet gjithmonë i gjallë. Ne do të vazhdojmë ta nderojmë veprën e tyre duke punuar për një shoqëri të drejtë, më të lirë e më të bashkuar”, u shpreh Emri Neshati.
Kujtimi për Fetah Sulejmanin dhe Fisnik Ibrahimin nuk jeton vetëm në histori, por edhe në rrëfimet e brezave që u rritën me emrat e tyre.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, i cili tha se liria e Kosovës u ndërtua mbi sakrificën e dëshmorëve.
“Këtë fjalim me rastin fakt po e filloj me një thënie të komandantit Adem Jasharit që u kishte thënë profesorëve të Akademisë Ushtarake në Shqipëri në vitin 1991, pas vizitës që kishte bërë në kompleksin e dëshmorëve dhe memorialin e monumentit Nëna Shqipëri në Tiranë. Po e citoj një fjali të vitit 2025 që e mbijetuara Besarta Jashari e ka sjellë për ne: “Ndoshta liria fitohet me laps, por neve në Kosovë na mungojnë varret e dëshmorëve”. Kjo fjali flet shumë për lirinë e Kosovës. Neve na u deshën edhe njerëzit e lapsit, por edhe dëshmorët e kombit. Ky popull nga djepi nxori djem e vajza që ishin të lapsit e të dijes, por edhe të pushkës e luftës”, u shpreh Hoti.
Një fjalë e tha edhe i pari i kësaj komune.
“Ky memorial është dëshmi e mirënjohjes sonë të përjetshme dhe një kujtesë për brezat që liria që gëzojmë ne sot u fitua me sakrificën e bijve më të mirë të këtij vendi. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit, Fetah Sylejmani dhe Fisnik Ibrahimi. Ju faleminderit”, tha Behxhet Xheladini.
E në fund të ceremonisë radha i erdhi zbulimit të pllakës.
Fetah Sylejmani dhe Fisnik Ibrahimi janë dy dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët dhanë jetën për lirinë e Kosovës.







