Përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” po përballen me vonesa serioze për shkak të mungesës së institucioneve të reja shtetërore dhe bllokimit të Ligjit për Lojërat Mesdhetare në Gjykatën Kushtetuese.
Zyrtarë përgjegjës për organizimin e kësaj ngjarjeje multisportive paralajmërojnë se çdo ditë vonesë po rrezikon realizimin e këtij projekti madhor, i cili konsiderohet si ngjarje me rëndësi strategjike për shtetin dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
Kosova ka mbajtur zgjedhjet e përgjithshme më 9 shkurt por ende nuk janë formuar institucionet e reja. Procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, pasi partia që ka dalë e para në zgjedhje – Lëvizja Vetëvendosje – nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për kandidaten e tyre.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama thotë për KosovaPress se mungesa e krijimit të institucioneve të nivelit qendror po e pamundëson zhvillimin e shpejtë të punëve që duhen kryer për këtë ngjarje sportive.
“Mungesa e krijimit të institucioneve të nivelit qendror normal që e pamundëson zhvillimin e shpejtë i cili është dashur të jetë në zhvillim e sipër për stadiume, për hapësira të ndryshme, për arena për Lojërat Mesdhetare. Pra, çdo vonesë krijon probleme në vitin 2030 sepse ne faktikisht sot në vitin 2025 ishte dashur vetëm që ta kemi një logjistikë, një transparencë, një masterplan të qartë rreth menaxhimit të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030. Ja që për mungesë të krijimit të institucioneve e kemi një humbje kohe e cila padyshim që shkakton dëm”, thotë Rama.
Nga Ministria e Sportit, thonë se dërgimi i Ligjit për Lojërat Mesdhetare në Gjykatën Kushtetuese, e ka ndalur ritmin e punëve që kjo ministri ka pasur në plan t’i kryejë brenda këtij viti, por edhe viteve të ardhshme.
“Lojërat Mesdhetare nuk janë thjesht ngjarje sportive, por mendoj që janë më shumë se kaq, janë projekt shtetëror. Dërgimi i Ligjit për Lojërat Mesdhetare në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2024, mendoj që e ka ndalur ritmin e punëve të cilat Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport i ka paraparë, i ka buxhetuar dhe i ka në planin e veprimit dhe të punës për vitin 2025, vitin 2026 dhe viteve kështu me radhë. Shpresoj që institucionet sa më shpejtë ta përfundojnë këtë çështjen e formimit të qeverisë dhe të vazhdohet tutje, dhe gjithashtu shpresoj që Gjykata Kushtetuese sa më shpejtë ta ketë prioritet përgjigjen ndaj Ligjit Lojërat Mesdhetare”, thekson Shatri.
Nga Komiteti Olimpik i Kosovës ngrenë alarmin duke thënë se në kuvend po e dëmton tej mase rrjedhën e organizimit të këtyre lojërave.
“Ne edhe po të kishim institucionet edhe po të mos shkonte ky ligj në Kushtetuese do të ishim vonë sa i përket organizimit dhe çdo ditë që kalon është në disfavor tonin, mirëpo ky ngërç që e ka kapluar konstituimin e Kuvendit, e rrjedhimisht edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, vetëm sa i bën dëm organizimit të këtyre lojërave. Po ta kishim infrastrukturën e gatshme, siç e kanë edhe shtete tjera do të ishte krejt në rregull sepse do të mund t’i organizonim ndoshta edhe për dy vite, mirëpo siç e dini, Lojërat Mesdhetare mbahen në vitin 2030 dhe ne infrastrukturën duhet ta kemi të gatshme në vitin 2029”, thotë Krasniqi.
Krasniqi tregon se KOK-u ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që Ligji për Lojërat Mesdhetare të trajtohet me prioritet për shkak të interesit shtetëror.
“I kemi shkruar letër Gjykatës Kushtetuese që për shkak të presionit që e kemi nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare dhe kohës së shkurtër të organizimit të kësaj ngjarje, kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të paktën të jap një përgjigje sa më parë dhe ta trajtojë këtë çështje me prioritet për shkak edhe të interesit shtetëror. Ne kemi marrë një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese dhe ata thonë se rasti i Lojërave Mesdhetare, por edhe i të gjitha ligjeve të tjera të cilat kanë shkuar si pako, janë ende në fazën shqyrtuese dhe në një afat sa më të arsyeshëm ata do të japin përgjigje qoftë ajo negative apo pozitive”, thotë Krasniqi.
Për ta fituar të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare, Kosova është zotuar për ndërtimin e stadiumit kombëtar, kompleksin e pishinave olimpike në Prishtinë, fshatin olimpik, palestra e fusha të ndryshme sportive.
Në total, para Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Qeveria e Kosovës ishte zotuar për 250 milionë euro investime në infrastrukturë sportive.