Ka përfunduar seanca dëgjimore në rastin e tre të dyshuarve për dallavere me rezervat shtetërore – Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi -, të cilët u prangosën të premten në një aksion të Prokurorisë Speciale.
Avokati i Irfan Lipovicës, Durim Osmani ka thënë se s’ka asnjë arsye të aprovohet kërkesa e Prokurorisë për paraburgim pasi të arrestuarit vetëm kanë zbatuar ligjin.
“Këta tre persona që po e presin vendimin janë të pafajshëm”, ka thënë avokati Osmani.
“Nuk ka shkelje të ligjit, nuk ka vepër penale”, ka shtuar ai.
Prokuroria Speciale nisi të premten në orën 6 të mëngjesit aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.
Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë të premten se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.
Mirëpo, Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka shpjeguar se në rastet kur bazuar në kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale gjykata lëshon urdhër për kontroll të shtëpisë apo personit, nuk është fare relevante fakti nëse provat e sekuestruara përmes të cilave synohet provimi i veprës penale janë ose jo të klasifikuara.
Në mbrëmjen e së premtes, Kryeministri Albin Kurti ka publikuar një video-mesazh, me të cilin ka akuzuar sistemin e drejtësisë së po tenton që të rikthejë në pushtet ish-kastën e kalbur politike. Ka thënë se Rozeta Hajdari nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk ka korrupsion te rezervat shtetërore.
Gjuhë të njëjtë ka përdorur të shtunën edhe Ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati, i cili ka thënë se sistemi i drejtësisë po synon ta rrëzojë Qeverinë Kurti me spektakle.
Edhe një deputet i Vetëvendosjes ka deklaruar se sistemi i drejtësisë po iu shërben opozitës dhe milionerëve.
Këshilli Prokurorial dhe as Këshilli Gjyqësor i Kosovës si dhe as Shoqata e Prokurorëve nuk kanë reaguar ndaj akuzave të pushtetit se janë bërë bashkë me opozitën për ta rrëzuar Qeverinë. Nuk ka pasur reagim as nga u.d i Kryeprokurorit Besim Kelmendi.