Përfaqësueset e Kosovës në basketbollin 3×3, në konkurrencën e meshkujve dhe femrave, janë nisur drejt Italisë për të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Të dyja ekipet do t’i bashkohen delegacionit të Kosovës që po garon në këtë ngjarje të madhe sportive.
Në konkurrencën e meshkujve, Kosovën do ta përfaqësojnë Adhurim Alijaj, Eliot Peci, Ardian Ibishi dhe Mal Tusuni. Ndërsa te femrat, pjesë e ekipit kosovar janë Enisa Kamerolli, Elsa Shala, Vesa Krasniqi dhe Merisa Bilalli.
Kosova do të garojë në Grupin C në të dyja konkurrencat, ku te meshkujt, basketbollistët kosovarë do të përballen me Turqinë, Serbinë dhe Portugalinë. Ndërkaq, te femrat Kosova është vendosur në grup me Greqinë dhe Italinë.
Ndeshjet e fazës së grupeve do të zhvillohen më 29 dhe 30 gusht, ndërsa faza finale është paraparë të zhvillohet më 31 gusht dhe 1 shtator.




