Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka deklaruar se përfshirja e shqiptarëve në institucionet shtetërore ka qenë një nga sfidat më të mëdha për shtetin që nga miratimi i Marrëveshja e Ohrit.
Ai në “Këndin e Debatit” në Tëvë1 tha se gjatë dy dekadave të fundit është arritur përparim i konsiderueshëm në këtë drejtim. Ai theksoi se në vitin 2001 shqiptarët përbënin vetëm rreth 2.1 për qind të administratës shtetërore, ndërsa sot kjo përqindje ka arritur në rreth 21 për qind.
Pendarovski tha se arritja e këtij rezultati ka kërkuar jo vetëm resurse të mëdha, por edhe përkushtim politik për të siguruar përfshirjen e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
“Përfshirja e shqiptarëve në institucionet shtetërore ka qenë sfida më e madhe, së paku prej adaptimit të Marrëveshjes së Ohrit në Kuvend. Mund të them që kemi arritur shumë, si vend, pavarësisht qeverive, këto dy dekadat e fundit kemi arritur shumë. Në vitin 2001, shqiptarët kanë qenë 2.1& në krejt administratën dhe sot janë 21%. Kjo ka kërkuar resurse të mëdha, por mbi të gjitha përkushtim politik për të realizuar këtë, për të përfshirë të gjithë këta njerëz”, deklaroi ai.
Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe vendi është përballur edhe me sfida të shumta, duke theksuar se ka pasur aktorë brenda dhe jashtë vendit që nuk kanë dashur të shohin suksesin e një shteti multietnik dhe multifetar.
Sipas ish-presidentit, megjithatë nuk vërehet një rritje e tensioneve ndëretnike krahasuar me periudhat e mëparshme, edhe pse incidente të izoluara ndodhin herë pas here.
“Në këtë rrugë viteve të kaluara ka pasur shumë sfida, ka pasur njerëz jashtë e brenda vendit, që nuk duan të shohin suksese që një vend kaq heterogjen etnikisht dhe fetarisht të ketë sukses të mos anëtarësohet në NATO, të mos afrohet me BE-në”, tha ai.
Pendarovski gjithashtu theksoi se është e rëndësishme që partitë politike shqiptare që janë pjesë e qeverisë të jenë më të zëshme në sqarimin e zhvillimeve dhe në adresimin e çështjeve që lidhen me marrëdhëniet ndëretnike në vend.
“Nuk shoh ngritje në tensionet ndër-etnike krahasuar me periudhën paraprake gjithmonë janë aty-këtu, me disa përjashtime. Është thelbësore që politikanët shqiptarë në qeveri të jenë më të zëshëm në sqarimin e ngjarjeve, duke u thënë të dy palëve të jenë më të zëshëm se kjo nuk është në rregull. Deri tash, nuk kam partë që partitë politike shqiptare në qeveri të jenë të zëshëm”, deklaroi ish-presidenti maqedonas. /teve1.info/







