Shruan: Arbenita Bllaca Kllokoqi
Shqiptarët dhe pastërtia kanë një histori të gjatë së bashku. Historikisht, në familjet tona pastërtia ka qenë prioritet mbi prioritet. Kjolidhet si me komplekset tona kolektive për të impresionuar të tjerët, ashtu edhe me edukatën e trashëguar familjare.
Gjyshja ime tregonte se në të kaluarën kishte një lloj rivaliteti mes grave për këtë çështje – kush zgjohej më herët për të fshirë dhe larë oborrin.
Shpesh, zgjoheshin para orës 5 të mëngjesit që oborri të ishte i pastruar para se të zgjoheshin komshinjtë. Kjo tregonte “kush është më i zoti”.
Gruaja në shoqërinë tonë ka mbajtur në supe role të shumta dhe të thella. Nën peshën e madhe të këtyre përgjegjësive, shumë gra kanë harruar vetveten,.Të rritura me idenë se pastërtia është virtyt i shenjtë, ato shpesh nuk kanë pasur as hapësirë, as zë, për të dalluar prioritetet, për të vlerësuar rrezikun apo për të menduar për veten as dhe në ditën e pushimit.
Dhe prapë, një grua tjetër humbi jetënnëKosovë. Teksa po pastronte xhamat në një kat të lartë – në shtëpinë e vet.
Rastet e tilla, që janë shtuar muajve të fundit në Kosovë, janë shumë më tepër se aksidente tragjike – atojanë pasqyra të rrezikshme të një zakoni që i meson vajzat të kujdesen për gjithçka, përveç vetes.
Ne jemi rritur me bindjen se shtëpia dhe tjetri janë obligim moral, ndërsa pasojat për veten, askush nuk i ka vënë në diskutim.
Në shumë shtete të botës, siguria në shtëpi e në punë trajtohet seriozisht perms fushatave vetëdijësuese dhe standardeve të qarta. Tek ne, kjo mungon. Dhe mungesa e kësaj vetëdijeje po i kushton me pasoja shoqërisë sonë.
Me ritmin e shpejtë të ndërtimeve, rritet edhe rreziku për ata që i jetojnë këto hapësira – gra dhe burra – që aksidentalisht po përballen me pasoja fatale. Por për gratë, kjo rrezikshmëri është më e thellë, sepse ajo është e lidhur me një moral të rremë: se një grua e mire është ajo që nuk lë papastërti.
Është koha për ndryshim. Është koha të ndalemi dhe të pyesim: çfarë vlere ka pastërtia, nëse po rrezikojmë jetën – edhe në 1% të rasteve?
Në një vend ku grate përballen me rreziqe në çdo hap, mos t’ua mësojmë çikave dhe brezave të reja se pastërtia është e rëndësishme sa jeta. T’ua japim shembullin se jeta, vetja dhe kujdesi për veten janë gjithmonë më të rëndësishme. Dhe këtë shembull le ta japim sot – përpara se të jetë vonë për një tjetër grua.
Opinioni përmban pikëpamjet e autorit dhe nuk prezanton qëndrimet editoriale të teve1.info