TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
Reklamo

Pas dekadash në institucionet serbe në Kosovë, shkarkime nga puna “për arsye politike”

by teve1
1 orë ago
1
A A
Pas dekadash në institucionet serbe në Kosovë, shkarkime nga puna “për arsye politike”

Gordana Nedelkoviq dhe Mirosllav Ristiq nga territori i komunës së Graçanicës janë njoftuar se janë shkarkuar nga puna, për faktin se, siç thonë vetë ata, nuk e mbështesin Listën Serbe, por Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit.

Nedelkoviq, deri më 14 maj, ka punuar si teknike laboratori në Qendrën e Shëndetit në Graçanicë, ndërsa Ristiq ka qenë i punësuar në Shkollën e Mesme Elektroteknike si profesor i mësimit praktik.

Këto institucione, si dhe të gjitha institucionet e tjera arsimore dhe shëndetësore në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, funksionojnë në sistemin e Serbisë dhe udhëhiqen kryesisht nga anëtarë dhe zyrtarë të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Dy persona të tjerë, të punësuar në institucionet e Serbisë në Kosovë, konfirmuan gjithashtu për Radion Evropa e Lirë se janë dëbuar nga puna për arsye politike, por kërkuan të mbeten anonimë.

Gordana Nedelkoviq thotë se, pas 35 vjetësh përvojë, ka mbetur e papunë, sepse bashkëshorti i saj, Aleksandar, është politikisht aktiv në Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Mirosllav Ristiq, i cili ka punuar 20 vjet në arsim, po ashtu pretendon se është shkarkuar nga puna, për shkak se mbështet partinë e Nenad Rashiqit.

Duke folur për REL-in, ata thonë se do të tentojnë t’i kundërshtojnë në gjykatë vendimet për largim nga puna.

“E mora vendimin të enjten, ku thuhet se merrem me politikë, se përhap nacionalizëm dhe gjuhë urrejtjeje. Asgjë nuk lidhet me punën time”, thotë Nedelkoviq.

Në vendimin e largimit nga puna, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, thuhet se Gordana Nedelkoviq, për një periudhë të gjatë, ka shprehur publikisht bindjet e saj politike, në kundërshtim me “interesat për të cilat është përcaktuar popullsia serbe në Kosovë dhe Metohi, e cila jeton në sistemin institucional që Republika e Serbisë nuk e njeh”.

Drejtoresha e Qendrës së Shëndetit në Graçanicë, Mirjana Dimitrijeviq, nuk pranoi të komentojë largimin nga puna të Gordana Nedelkoviqit, si dhe të punonjësve të tjerë që pretendojnë se kanë mbetur pa punë për arsye politike.

Nga ana tjetër, drejtori i Shkollës së Mesme Elektroteknike, Boban Petroviq, mohoi se Mirosllav Ristiq është shkarkuar nga puna për arsye politike, duke thënë se ai nuk ka pasur licencë pune.

Ristiq konfirmon se mungesa e licencës është përmendur në vendimin e shkarkimit, por këmbëngul se arsyeja e vërtetë është politike.

“Kanë gjetur se nuk kam licencë pune, por, sipas Ligjit për mësim praktik, mua nuk më duhet licencë. Edhe juristes së shkollës i kam kërkuar të jap provimin për licencë, por ajo më ka thënë se nuk më nevojitet”, thotë ai.

Ristiq tregon se ka qenë i punësuar në arsim që nga viti 2007, se ka marrë një vendim të përhershëm në vitin 2013 dhe se, deri më tani, askush nuk i ka kërkuar leje pune.

Ai gjithashtu pohon se për të marrë licencën, është e nevojshme që institucioni arsimor ku punon, të dërgojë një kërkesë dhe të paguajë shpenzimet.

Ligji mbi bazat e sistemit arsimor të Serbisë përcakton se puna e një mësuesi, edukatori dhe bashkëpunëtori profesional mund të kryhet nga një person që ka leje pune, ose më saktë licencë.

Megjithatë, sipas informacionit të disponueshëm në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit të Serbisë, procedura për marrjen e licencës për mësuesit, edukatorët dhe bashkëpunëtorët profesionalë iniciohet nga institucioni ku kandidati është i punësuar, pas përfundimit me sukses të stazhit.

Ristiq shton se, më herët, është paralajmëruar që të mos e mbështesë publikisht Rashiqin, por se nuk u është bindur këtyre paralajmërimeve.

“Ka pasur kërcënime verbale, jo me shkrim. Mendoj se është e drejta ime demokratike ta mbështes atë që dua. Këto presione zgjasin prej vitesh”, thotë Ristiq.

Ai tregon se i është ndërprerë edhe sigurimi shëndetësor në sistemin serb – gjë që do t’ia vështirësojë trajtimin e mëtejshëm mjekësor.

“Jam i sëmurë me kancer prej pesë vjetësh dhe menjëherë ma kanë hequr sigurimin shëndetësor. Më duhej një referim për të shkuar te mjeku në Beograd, por më kanë çregjistruar menjëherë”, shton ai.

Punonjësve në institucionet e Serbisë në Kosovë u zbritet nga paga për sigurim shëndetësor në sistemin serb, ndërsa shteti mbulon shpenzimet për ata që nuk janë të punësuar.

Një numër i madh i pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë referohen për trajtime më serioze në qytete të Serbisë, si Beogradi, Kragujevci apo Nishi.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Ministrisë së Arsimit atje dhe Ministrisë së Shëndetësisë, me pyetjen nëse janë të informuara për pretendimet e tilla për largimet nga puna, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, me Listën Serbe do të konkurrojë vetëm partia e Nenad Rashiqit, i cili në dy mandate ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e kryeministrit Albin Kurtit.

“Disa i shkarkojnë nga puna, të tjerët i punësojnë”

Aleksandar Nedelkoviq, bashkëshortja e të cilit, Gordana, u shkarkua nga puna për shkak të angazhimit të tij politik, thotë se pjesëtarët e komunitetit serb përballen me presione të vazhdueshme nga Lista Serbe dhe se shumë prej tyre nuk guxojnë as të komunikojnë me ata që e mbështesin Rashiqin.

“Është shumë e vështirë. Ky është një akt frikësimi, rrallë kush guxon të flasë me ne. Në fshehtësi po, por publikisht jo. Pas këtyre largimeve nga puna, njerëzit janë të frikësuar”, thotë ai.

Nedelkoviq shton se Lista Serbe u premton vende pune dhe ndihmë financiare nga Serbia atyre që votojnë për të, ndërsa ata që nuk e mbështesin, përballen me largime nga puna.

Në Kosovë, gjatë një viti e gjysmë të fundit, janë mbajtur dy herë zgjedhje parlamentare, si dhe zgjedhje lokale.

Gjatë fushatave zgjedhore, shteti i Serbisë ka hapur qindra vende të reja pune në institucionet e tij shëndetësore në Kosovë – gjë që në publik është komentuar si “ndërhyrje në procesin zgjedhor” ose “sigurim i votave për Listën Serbe”.

Gjithashtu, Zyra për Kosovën ka paralajmëruar pagesa mujore prej 20.000 dinarësh (rreth 180 euro) si ndihmë nga shteti i Serbisë.

Nga ana tjetër, kundërshtarët politikë të Rashiqit e kanë akuzuar atë për keqpërdorim të pozitës si ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, duke thënë se ka mbledhur “vota të sigurta” përmes shpërndarjes së materialeve për shtëpi, pajisjeve elektroshtëpiake apo subvencioneve.

Gjatë fushatave zgjedhore, Rashiq ka dorëzuar çelësa shtëpish të ndërtuara nga ministria që ai drejton ose ka nisur ndërtimin e njësive të reja banesore.

Çfarë thotë Lista Serbe?

Nenad Rashiq, në seancën e Qeverisë së Kosovës më 14 maj, e ka akuzuar Listën Serbe se ushtron “presion” dhe “frikë” ndaj mbështetësve të tij, dhe u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që të reagojnë.

Ai ka deklaruar se rreth 20 persona që e mbështesin atë, janë dëbuar nga puna, ndërsa pritet që edhe rreth 40 të tjerë të marrin vendime për largim nga puna vetëm në territorin e komunës së Graçanicës.

Rashiq ka pretenduar, gjithashtu, se simpatizantët dhe anëtarët e partisë së tij ndalohen në pikat kufitare me Serbinë nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA), ku pyeten se për kë do të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor.

Lista Serbe i ka mohuar këto akuza, duke thënë se Rashiq nuk ka legjitimitet dhe se po përpiqet “ta justifikojë” humbjen në zgjedhjet e ardhshme.

Në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, Lista Serbe ka fituar nëntë nga dhjetë mandatet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, ndërsa një mandat e ka fituar partia e Nenad Rashiqit.

“Është e qartë se vendet e ‘dhuruara’ në komisionet zgjedhore komunale, në ndërmarrjet publike, si dhe përpjekjet e tij për keqpërdorim të fondeve nga ministria që ai drejton, nuk po i japin rezultatet e pritura”, është thënë në reagimin e Listës Serbe.

Për disa dy paga, për të tjerët asnjë

Një hulumtim i REL-it nga viti 2024 ka treguar se disa punonjës në sistemin shëndetësor dhe arsimor serb në Kosovë, marrin paga edhe nga buxheti i Qeverisë së Kosovës.

Punonjësit në institucionet arsimore që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, marrin edhe të ashtuquajturën “shtesë kosovare”, e cila arrin në 50 për qind të pagës bazë, që do të thotë se të ardhurat e tyre shkojnë nga rreth 900 deri mbi 1.300 euro në muaj.

Paga e mësimdhënësve në sistemin e Kosovës sillet në rreth 600 euro.

Gjithashtu, funksionarët dhe anëtarët e Listës Serbe i udhëheqin kryesisht institucionet e Serbisë në Kosovë.

Për shembull, kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek, është edhe drejtor i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, ndërsa zëvendësi i tij, Dragisha Milloviq, është kryetar i komunës së Zveçanit në sistemin e Kosovës.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut në sistemin e Kosovës, Millan Radojeviq, është gjithashtu drejtor i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor në sistemin e Serbisë – dega në Mitrovicë.

Deputeti në Kuvendin e Kosovës nga Lista Serbe, Igor Simiq, udhëheq Drejtorinë e Fondit Republikan për Sigurim Pensional dhe Shëndetësor të Serbisë.

Ai ka deklaruar në Agjencinë kundër Korrupsionit të Kosovës edhe të ardhura si profesor në Fakultetin Ekonomik në sistemin serb, si dhe të ardhura totale mbi 3.000 euro në muaj.

ShareTweet

Postime të ngjashme

Arrestohet i dyshuari që po kërkohej për një rast rrëmbimi që kishte ndodhur tre muaj më parë

Arrestohet një i dyshuar për vjedhje në Mitrovicë të Veriut

Avokati i Thaçit kritikon Specialen: 40 ankesa, asnjë e pranuar në pesë vite e gjysmë

Avokati i Thaçit kritikon Specialen: 40 ankesa, asnjë e pranuar në pesë vite e gjysmë

Zhbllokohet procesi i Kryeprokurorit të Shtetit

Zhbllokohet procesi i Kryeprokurorit të Shtetit

Aksioni për dhurimin e gjakut, mungesë e grupeve negative – bëhet thirrje për dhurues

Aksioni për dhurimin e gjakut, mungesë e grupeve negative – bëhet thirrje për dhurues

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën