Banka Qendrore e Kosovës (BQK) lansoi sot zyrtarisht Sistemin e pagesave të shpejta të Kosovës, i cili do të fillojë gradualisht të ofrojë shërbime për qytetarë dhe biznese më 23 nëntor 2026 me katër bankat e para, të cilat kanë përfunduar përgatitjet teknike dhe operative.
Në njoftim thuhet se bankat e tjera janë në proces të përgatitjes dhe do të lidhen gradualisht me sistemin deri më 23 shkurt 2027, kur përfundon periudha kalimtare tremujore.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, theksoi se qytetarët dhe bizneset do të mund të transferojnë mjete ndërmjet llogarive në banka të ndryshme brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare.
Shërbimi do të ofrohet përmes llogarive ekzistuese dhe kanaleve digjitale të bankave pjesëmarrëse, pa pasur nevojë për llogari apo aplikacione të reja, tha ai.
Më 23 nëntor 2026, Banka e Italisë do të organizojë në Romë ceremoninë e lansimit në nivel rajonal, ku do të marrë pjesë edhe Guvernatori i BQK-së, krahas guvernatorëve të vendeve të tjera pjesëmarrëse nga rajoni.
TIPS-K është infrastruktura kombëtare për pagesa të shpejta dhe një investim strategjik që rrit efikasitetin e ekonomisë, krijon mundësi për zhvillimin e shërbimeve të reja dhe e afron Kosovën me praktikat evropiane të pagesave.
Në fazën e parë, përmes TIPS-K do të mund të realizohen transfere deri në 3 000 euro për transaksion. Kufiri do të rritet në 10 000 euro në një fazë të mëvonshme, brenda vitit të parë të funksionimit të sistemit.
Nga 23 nëntori 2026, të gjitha bankat do të zbatojnë tarifat e reja për transferet bankare, pavarësisht datës së lidhjes së tyre me TIPS-K. Bankat i përcaktojnë tarifat e tyre brenda kufijve të miratuar nga BQK-ja.
Gjatë vitit 2027, BQK-ja parasheh zhvillimin gradual të shërbimeve shtesë për pagesa në pikat e shitjes, duke ua lehtësuar bizneseve arkëtimin me kosto më të ulët. Po gjatë vitit 2027, parashihet të nisë procesi i zgjerimit të pjesëmarrjes për institucionet jobankare të pagesave dhe institucionet e parasë elektronike që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga BQK-ja.
BQK-ja u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që, para se të konfirmojnë çdo transfer, të verifikojnë me kujdes të dhënat e përfituesit dhe shumën, si dhe të mbajnë konfidenciale kodet e sigurisë, fjalëkalimet dhe të dhënat e tjera të qasjes.
Bashkëpunimi për zhvillimin e TIPS-K nisi zyrtarisht në janar 2025 në Romë, përmes marrëveshjes me Bankën e Italisë për platformën TIPS Clone për Ballkanin Perëndimor. Banka e Italisë, me miratimin e Bankës Qendrore Evropiane, e zhvilloi platformën mbi teknologjinë TARGET Instant Payment Settlement (TIPS) të Eurosistemit.








