Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në organizimin “Java e Gruas”, një ngjarje që ajo e ka cilësuar si shumë të rëndësishme, sidomos në prag të përfundimit të mandatit të saj si shefe e shtetit.
Osmani gjatë fjalimit të saj ka reaguar ndaj asaj, që e kanë cilësuar si një fushatë të organizuar baltosjeje ndaj saj, duke theksuar se sulmet e tilla nuk kanë të bëjnë me kritikë apo llogaridhënie, por me përpjekje për të dëmtuar dinjitetin njerëzor dhe për të deformuar të vërtetën.
“Në javët e fundit, puna ime është përballur me një fushatë baltosëse që për qëllim nuk e ka kritikën. Dhe nuk ka të bëjë aspak me llogaridhënien. Është diçka tjetër. Shumë më e ftohtë, e krejtësisht e qëllimshme. Është përpjekja për të zhveshur një njeri nga dinjiteti i tij njerëzor. Për ta kthyer në objekt. Për ta krahasuar me kafshët më të egra. Për ta zëvendësuar të vërtetën me imazhe të manipuluara. Gënjeshtra që përsëriten aq shumë derisa dikujt mund t’i duken të vërteta. Imazhe që krijohen për të lënduar dhe për të shkatërruar vlerat më të larta njerëzore që e kanë mbajtur popullin tonë bashkë në kohët më të rënda. Fjalë që nuk synojnë debat, por shkatërrim dhe eliminim”, ka deklaruar ajo.
Ajo theksoi se përballë këtyre zhvillimeve duhet reaguar, jo nga pozita e viktimës, por si mbrojtës të demokracisë.
“Dhe për këtë arsye duhet të flasim. Jo si viktima. Asnjëherë. Asnjëherë si viktima. Asnjëherë. Por si mbrojtëse të demokracisë. Vetëm si mbrojtëse të demokracisë. Sepse kur propaganda mund ta kthejë këdo në tradhtar brenda natës, kur e vërteta më s’ka aspak rëndësi, kur dinjiteti gjithnjë shndërrohet në dëm kolateral, atëherë e tërë demokracia është në rrezik”, është shprehur Osmani.
Osmani gjithashtu vuri theksin tek rëndësia e lidershipit të ndjeshëm ndaj gjinisë dhe nevojën për përgjegjësi institucionale ndaj dezinformimit dhe propagandës.
“Prandaj lidershipi i ndjeshëm ndaj gjinisë nuk është luks. Është domosdoshmëri. Dhe kërkon institucione që nuk heshtin. Kërkon që të mbajmë përgjegjës ata që përdorin teknologjinë dhe e shndërrojnë në propagandë, që shfrytëzojnë dezinformimin dhe që besojnë që narrativa e tyre mund të ruhet vetëm e vetëm nëpërmjet frikësimit. E një shoqëri që mësohet me një narrativë të tillë, e humb në tërësi, në tërësi e humb busullën morale. Mirëpo kjo nuk është luftë vetëm ndaj një personi. Është një mesazh i drejtpërdrejtë për secilën grua. Për secilën vajzë që mendon të hyjë në jetën publike. Është mesazhi që thotë se për gratë në politikë, ky është çmimi që do ta paguash. Apo edhe ndoshta më i lartë”, ka shtuar ajo.
Në fund, Osmani theksoi se kjo situatë tejkalon dimensionin personal dhe prek vetë thelbin e demokracisë.
“Dhe pikërisht për këtë arsye kjo nuk është më çështje personale. Është çështje e demokracisë. Sepse demokracia nuk rrëzohet vetëm nga krizat e mëdha. Ajo dobësohet ngadalë, kur e vërteta relativizohet, kur e vërteta goditet dhe bëhet tërësisht e parëndësishme. Kur shpifja bëhet mjeti kryesor, kur dinjiteti njerëzor trajtohet si pengesë e jo si vlerë”, ka përfunduar ajo./teve1.info/







