Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se pas rezultateve të zgjedhjeve të fundit, LDK-ja është në rrugë të drejtë për ringritje.
Në një konferencë për media, së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas përfundimit të procesit zgjedhor, Osmani është shprehur se partia ka shënuar rritje të ndjeshme elektorale dhe ka falënderuar qytetarët për përkrahjen.
“Dua po ashtu që edhe një herë t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për përkrahjen që na kanë dhënë në këto zgjedhje, të cilat, përkundër kohës tepër të shkurtër që kishim në dispozicion për fushatë dhe për ta prezantuar vizionin tonë, e rritën LDK-në apo bazën elektorale për rreth 34 për qind. Tani jemi në 20 mandate, apo pesë pikë përqindje më shumë, që është rritja më e madhe që ka pasur cilido subjekt politik që ka garuar në këto zgjedhje. Natyrisht, ky është vetëm hapi i parë drejt ringritjes, por kjo rritje na jep shpresë se jemi në rrugë të drejtë. Me më shumë punë në terren dhe afër qytetarëve tanë, besojmë se LDK-ja do të vazhdojë të ringritet edhe në muajt dhe vitet në vijim. Ky është vetëm hapi i parë dhe është një hap jashtëzakonisht shpresdhënës për ne. Me punë të vazhdueshme afër qytetarëve, jemi jashtëzakonisht optimistë se pas këtij rezultati, koha e ringritjes sapo ka filluar dhe nuk ka asgjë që e ndal”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka vlerësuar gjithashtu organizimin e procesit zgjedhor, duke falënderuar institucionet për mbarëvajtjen e tij dhe duke e quajtur dëshmi të “fuqisë së demokracisë në vend”.
“Dua t’i falënderoj po ashtu të gjitha institucionet që kanë qenë të angazhuara sot gjatë ditës për një organizim të rregullt dhe pa asnjë incident të procesit zgjedhor. Edhe një herë kjo ka dëshmuar fuqinë e demokracisë në vendin tonë”, ka thënë ajo.
Duke folur për pjesëmarrjen më të ulët në votime, ajo ka theksuar se kjo është e kuptueshme për shkak të lodhjes së qytetarëve nga zgjedhjet e shpeshta dhe krizat politike.
“Siç u pa kësaj radhe pjesëmarrja ishte relativisht më e ulët në krahasim me proceset e tjera dhe kjo është krejtësisht normale, duke e ditur që qytetarët janë lodhur me procese zgjedhore dhe me krizat e pafundme. Kjo është arsyeja pse ne, që nga nesër, gjithë angazhimin tonë do ta fokusojmë që t’i japim vendit institucione, në mënyrë që urgjentisht të ndërmerren hapa që e nxjerrin Kosovën nga kriza dhe i ndihmojnë vendit që të arrijë suksese si përbrenda ashtu edhe të fuqizohet jashtë”, është shprehur Osmani.
Sipas saj, rezultati zgjedhor ka ndihmuar në ribalancimin e skenës politike dhe ka reflektuar mesazhin e qytetarëve për bashkim dhe stabilitet institucional.
“Qytetarët nëpërmjet votës së vet kanë ndihmuar që të ribalancohet skena politike, nëpërmjet votës së vet i kanë ndihmuar demokracisë, që ka qenë pikërisht thirrja jonë përgjatë kësaj fushate, dhe njëkohësisht kanë ndihmuar që të refuzohet përçarja dhe të pranohet koncepti i bashkimit si vizion i cili duhet të çohet përpara edhe nga ne, por edhe nga të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka përfunduar Osmani./teve1.info/







