Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj një personi me inicialet S.K., i dyshuar për sulm ndaj personave zyrtarë.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Gjykata Themelore në Gjilan, përmes një njoftimi zyrtar.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur më 17 nëntor 2026, rreth orës 14:00, në rrugën “Martirët e Gjilanit”, në Gjilan, ku i dyshuari dyshohet se ka sulmuar dy shpërndarës të Gjykatës Themelore në Gjilan, derisa ata ishin duke kryer detyrat zyrtare.
Sipas përshkrimit të rastit, dy zyrtarët kishin ndaluar në lagjen Zabeli për të gjetur një adresë dhe një person me inicialet L.K. Njëri prej tyre e kishte pyetur të dyshuarin nëse e njihte personin në fjalë.
Në atë moment, sipas Gjykatës, i dyshuari ishte afruar te vetura dhe kishte filluar ta godiste me grushte njërin nga zyrtarët. Kur kolegu i tij kishte dalë nga vetura për të ndërhyrë, edhe ai ishte goditur në kokë.
“Si pasojë e sulmit, i dëmtuari Zh. ka pësuar lëndime të lehta trupore, për shkak të të cilave ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan – Emergjencë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata ka bërë të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke konsideruar se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.
I dyshuari ngarkohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.







