Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar një muaj paraburgim ndaj shtetasit gjerman me inicialet L.B.S., i cili dyshohet se u kap me 43 armë të gjata automatike në rajonin e Gjilanit.
Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, nën dyshimin për kryerjen e dy veprave penale: import, eksport, furnizim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo materieve plasëse, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që i dyshuari, nëse lihet në liri, të pengojë zhvillimin e procedurës penale, t’i shmanget ndjekjes penale ose të bëhet i paarritshëm për organet e drejtësisë.
Gjykata ka marrë parasysh edhe shtetësinë gjermane të të dyshuarit, si dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale, duke u bazuar në sasinë dhe llojin e armëve të sekuestruara, mënyrën e dyshuar të transportimit dhe rrethanat në të cilat është zbuluar armatimi.
Ndaj këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./teve1.info/







