Gjykata Themelore në Gjakovë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy personave të dyshuar për grabitjen e armatosur të dy argjendarive në Gjakovë, në dy raste të ndara gjatë muajit nëntor.
Të dyshuarit A.U. dhe L.I. ngarkohen me veprat penale “Grabitja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, rasti i parë ka ndodhur më 5 nëntor 2026, rreth orës 17:15, në argjendarinë “Xhintoni”, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë.
Dy të dyshuarit, të maskuar dhe të armatosur, dyshohet se kishin planifikuar grabitjen paraprakisht. Për këtë qëllim, ata kishin marrë me qira një veturë Volkswagen Passat në Deçan, së cilës më pas i kishin vendosur targa të vjedhura.
Sipas Prokurorisë, njëri nga të dyshuarit kishte kërcënuar me armë automatike pronarin e argjendarisë dhe nënën e tij, ndërsa tjetri kishte thyer vitrinat me çekan dhe kishte marrë stoli ari në vlerë prej 27 mijë eurosh, si dhe 1 mijë e 600 euro nga pazari ditor.
Rasti i dytë dyshohet se ka ndodhur më 16 nëntor 2026, rreth orës 16:56, në argjendarinë “Balt Simoni”, në rrugën “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë.
Sipas aktakuzës së dyshimeve të paraqitura nga Prokuroria, të dyshuarit kishin përdorur të njëjtën mënyrë veprimi. Ata kishin marrë me qira një veturë Volkswagen Golf VII në Pejë, së cilës i kishin vendosur targa të vjedhura.
Pas vëzhgimit të argjendarisë, njëri prej tyre, i armatosur me armë automatike, kishte kërcënuar pronarin dhe familjarët e tij, ndërsa tjetri kishte thyer xhamat dhe kishte marrë stoli ari nga sirtarët.
Gjatë grabitjes kishte ndërhyrë një person në përpjekje për t’i ndalur të dyshuarit. Në atë moment, sipas Prokurorisë, njëri prej tyre kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, duke e plagosur në këmbën e djathtë.
Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, Gjykata Themelore në Gjakovë ka vendosur që ndaj dy të dyshuarve të caktohet masa e paraburgimit prej një muaji.








