Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka filluar periudha për aplikimin e subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Sipas KQZ-së, kjo periudhë është e ndarë në dy afate të ndryshme, në afatin për aplikim për certifikim që ka filluar më 24 nëntor dhe do të përfundojë më 30 nëntor 2025, si dhe në afatin për dorëzimin e listës së kandidatëve që gjithashtu ka filluar më 24 nëntor dhe do të përfundojë më 7 dhjetor 2025.
Për të lehtësuar procesin e aplikimit, KQZ ka funksionalizuar një platformë elektronike që do të shërbejë për subjektet politike në paraqitjen e aplikimeve për certifikim dhe listat e kandidatëve.
Të gjitha partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës kanë marrë akses në këtë platformë përmes “userëve” të cilët janë krijuar nga KQZ.
Përveç partive politike, kjo mundësi është e hapur edhe për koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur që dëshirojnë të aplikojnë për certifikim.
Në njoftim janë treguar edhe hapat të cilët duhet ndjekur për aplikim.
“Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar i subjektit politik (koalicionit, iniciativës qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org. Partive politike të regjistruara dhe koalicioneve, u janë krijuar dhe dërguar ‘userët’ dhe prej tyre nuk kërkohet të ndjekin këtë hap.
Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online dhe për të paraqitur aplikimin.
Informacione shtesë: Për më shumë informacione, dokumentacionin dhe kushtet që kërkohen të plotësohen, mund të kontatoni Zyrën përmes e-mailit [email protected] apo përmes telefonit +383 38 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00”, thuhet në njoftim.








