Stina e bukur nisi zyrtarisht me ekuinoksin më 20 mars, dita kur drita dhe errësira janë të barabarta, në ekuilibër të plotë, duke i dhënë jetë dhe rilindjes së natyrës.
Ngjyrat janë simboli i pranverës dhe janë ato që veshin natyrën dhe njeriun, duke sjellë impuls vital në jetë pas letargjisë dimërore.
Ndërrimi i stinës reflektohet në psikologjinë njerëzore, në sjellje, në ushqim, në energji e veshje.
Moda e reflekton menjëherë shpërthimin e ngjyrave, duke imituar stinën e bukur dhe duke ja veshur njeriut.
Sfilatat dhe propozimet e brandeve më të njohura në botë sjellin veshjet, ngjyrat, dhe për këtë pranverë-verë 2026 koleksionet flasin në ngjyrat pastel.
E kaltra e pastër, esenciale si ajri dhe uji, me tonalitete që frymëzohen nga versioni classy, duke e propozuar edhe në costume për të kompletuar look-un plot charme e elegancë.
Celebrohet silueta femërore nga kontraste mes ngjyrave neutrale dhe tonaliteteve të pjekura.
Protagonistë absolutë janë e bardha e ngrohtë, Cloud Dancer, e verdha e butë, mente vibrante, e kaltra qiellore, bezha e rozë të freskëta e romantike, por edhe tonet e së kuqes së llavës vullkanike, me ngjyra plot pasion dhe të forta për veshje të guximshme.
Nuk mungojnë në pasarela edhe tonet e ngjyrave të tokës, të sofistikuara dhe elegante.
Textilet e përzgjedhura janë të lehta, romantike, si re të buta, për të eksaltuar edhe më shumë feminitetin, një himn për gruan delikate e me karakter njëkohësisht, të ëmbël dhe tërheqëse, duke luajtur gjithnjë me kontraste të sofistikuara.
Frymëzimet e stinës sjellin ndërthurje të elegancës së modës dhe tendencave të viteve të mëparshme, diku fustane e veshje me ekuilibër të feminitetit të viteve ’50, atyre ’60 e kështu me radhë, të sjella në mënyrë bashkëkohore dhe të rishikuara me hijeshi.
Madhështore, të lehta, të veshura, dominuese janë veshjet që dominojnë sfilatat me në zë në fashion week të Milanos, Parisit e New York-ut, ku padyshim tendenca e vitit 2026 është eleganca.
MODA dhe historia e saj është evolucion i vazhdueshëm që pasqyron ndryshimet sociale, ekonomike e kulturore.
Transformon veshjen nga nevoja bazike për t’u mbuluar, në ekspresion të identitetit. Që prej antikitetit përcaktonte statusin social, dhe bashkon estetikën, artin, kreativitetin e funksionalitetin.
Në antikitet, në civilizimet e mëdha të Egjiptit, Greqisë, Romës, veshja tregonte rangun shoqëror, dhe njëkohësisht ndarjet e tyre ishin simbol i qytetarisë.
Në Mesjetë ishte më e thjeshtë, e ndjekur nga Rilindja e ndritshme e artit, që solli veshje më të strukturuara.
Baroku i viteve 1600, me shpërthimin e luksit të oborrit francez të Luigjit XIV, dominuan skenat botërore, me veshje madhështore, perla e ornamente të ekzagjeruara, me ngjyra shumë të ndezura, për të treguar pushtetin.
Revolucioni Industrial i shekullit XIX solli mjetet dhe makinat qepëse, duke ulur kostot dhe duke e bërë modën më të aksesueshme.
Parisi konsolidohet si qendra e Haute Couture, ndërsa në vitet 1920, mbi të gjitha Coco Chanel solli një stil të ri, praktik e modern. Pas Luftës së II Botërore, prêt-à-porter e bëri modën të shkojë edhe tek masat.
Ndërsa moda bashkëkohore, nga vitet ’80 është dominuar nga Made in Italy, me rëndësi globale, duke vendosur elegancën në piedestal dhe duke i thurrur himn sharmit dhe sensualitetit femëror.
Padyshim sot ekspresioni personal është mjaft i përhapur, me tendenca zhveshjeje apo me detaje ulëritëse, çka stilistët e mëdhenj nuk e kanë pranuar kurrë ta mbështesin.
Pra, modë e pastër pranverore, me linja të buta, romantike, madhështore, me ngjyra plot jetë, që transmeton mesazhet e mëhershme të saj, të statusit, identitetit, elegancës dhe thjeshtësisë, esenciale.











