Qytetarët kanë nisur të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, para protestës së thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Në mesin e qytetarëve që kanë ardhur për të marrë pjesë në protestë është edhe Fevzi Asipi nga Tetova.
Ai ka folur për Tëvë1 lidhur me dënimet e ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Asipi tha se dënimet i ka parë si shumë të rënda.
“Shumë rëndë, sepse ne e kemi përcjellë edhe më herët dhe Adem Jashari e Hashim Thaçi janë dënuar nga 20 vjet nga Serbia, kurse Gjykata Speciale në emër të popullit të Kosovës dënon 25 vjet. Në emër të kujt? Në emër të tradhtarëve e spiunave”, ka deklaruar ai.
Ai tha se nuk pret që në apel të ketë lirim të plotë, por pret zbutje të dënimeve.
Sipas tij, duhet të punohet edhe për ndryshimin e mënyrës së funksionimit të kësaj gjykate.
“Unë pres që ta zbut pak dënimin, por jo krejt. Mirëpo ne duhet të punojmë që ta zhbëjmë këtë gjykatë ose, tekefundit, t’ia ndalim financat dhe mbaroi puna. Sikur punëdhënësi punëtorit ia ndal rrogën, ai nuk të vjen në punë”, ka thënë Asipi.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që, sipas tij, të lënë mënjanë dallimet dhe të angazhohen për çështjen e Gjykatës Speciale.
“Dua të kërkoj që deputetët tanë të zgjedhur nga populli të futen në parlament, t’i lënë inatet e tyre dhe ta zhbëjnë këtë gjykatë, e cila bashkëpunon me Serbinë, sepse dënimet që janë bërë janë bërë me akuza që kanë ardhur nga Serbia”, ka deklaruar ai.
Asipi ka shprehur kritika edhe ndaj mënyrës së krijimit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se ato janë ngritur fillimisht mbi çështjen e “Shtëpisë së Verdhë” dhe akuzat për trafikim organesh.
“Për mua kjo gjykatë është kriminale”, ka deklaruar Asipi.
Ndryshe, katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë dënuar me 81 vjet burgim në total./teve1.info/







