Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ia rritur dënimin të akuzuarit B.G. nga 7 vjet e 6 muaj në 10 vjet burgim për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë.
Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit, vendimi është marrë pas shqyrtimit të ankesës së Prokurorisë dhe analizimit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren, të datës 30 qershor 2025.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë i ka vërtetuar drejt faktet dhe rrethanat e rastit, por nuk i ka dhënë peshën e duhur caktimit të lartësisë së dënimit.
Sipas kolegjit gjykues, dënimi fillestar nuk ishte në përputhje me shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe pasojat e shkaktuara.
Të akuzuarit në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 17 maj 2025.
Gjykata ka bërë të ditur se vendimi nuk do të publikohet në uebfaqen zyrtare, pasi bëhet fjalë për një rast të natyrës penale që lidhet me marrëdhëniet familjare./teve1.info/







