Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është pyetur nga mediat lidhur me të ardhmen e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, pas raportimit ekskluziv të TËVË1 për mundësinë e ndryshimit të ligjit për t’i mundësuar atij edhe një mandat pesëvjeçar.
I pyetur gjatë aktivitetit të Ditës së Hapur të FSK-së, Maqedonci ka thënë se institucionet do të veprojnë në përputhje me ligjin dhe procedurat në fuqi.
“Komandantin e patët më herët këtu, keni mundur t’i drejtoheni. Normalisht që është një ligj i cili është në fuqi. Kemi një komandant që përfundon mandatin dhe janë të gjithë hapat e nevojshëm që do të ndërmerren me kohë, sipas ligjit dhe procedurave”, ka deklaruar Maqedonci.
Ministri është pyetur edhe për gjeneralmajorin Enver Cikaqi, i cili, sipas burimeve të TËVË1, pritet ta zëvendësojë Jasharin në krye të FSK-së.
Për këtë çështje, Maqedonci ka dhënë një përgjigje të shkurtër, duke thënë se emërime të tilla janë çështje që trajtohen brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ato janë çështje që bëhen brenda FSK-së”, është shprehur ai.
Ndryshe, TËVË1 kishte raportuar të mërkurën, përmes burimeve brenda Ministrisë së Mbrojtjes, se ishte paraparë një nismë për ndryshimin e Ligjit për FSK-në, me qëllim që komandantit aktual, Bashkim Jashari, t’i mundësohej edhe një mandat.
Megjithatë, të enjten, sipas të njëjtave burime, rrethanat kishin ndryshuar dhe Ekzekutivi nuk do të niste iniciativën për ndryshimin e ligjit.
Po ashtu, burimet e TËVË1 kishin bërë të ditur se në vend të Jasharit pritet të emërohet zëvendësi i tij, gjeneralmajor Enver Cikaqi.







