Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka hartuar një plan të veçantë operativ për garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, e cila do të zhvillohet sot në orën 15:00 në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Në komunikatë thuhet se, masat e sigurisë kanë nisur që nga ardhja e ekipit mysafir në Kosovë, duke përfshirë përcjelljen e tij dhe sigurimin përgjatë itinerarit të lëvizjes, si dhe të stafit që po qëndron në vend.
Aktivitetet policore do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme, para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes, në koordinim me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
Policia ka paralajmëruar se gjatë lëvizjes së eskortës mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit rrugor, ndaj ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
Po ashtu, policia u ka bërë thirrje tifozëve që të paraqiten me kohë në stadium, të mos marrin me vete gjësende të palejuara apo mjete të rrezikshme, si dhe të kenë me vete biletat dhe dokumentet identifikuese gjatë hyrjes në stadium.
“Policia e Kosovës do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e incidenteve të mundshme, në bashkëpunim me FFK-në dhe kompanitë e angazhuara për siguri”, theksohet në komunikatë.
Në fund, policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka ftuar që çdo informacion apo rast të raportohet në numrin 192./teve1.info/








