Dhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve në disa qytete të Kosovës, ndërsa gjashtë persona të dyshuar janë arrestuar.
Siç bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë, rastet janë raportuar në Prishtinë, Obiliq, Pejë, Klinë, Malishevë dhe Gjakovë.
Rastet përfshijnë dyshime për dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshorteve, fëmijëve dhe prindërve.
Në Prishtinë janë raportuar tri raste të dhunës në familje.
Në njërin rast, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij, ndërsa gjatë arrestimit nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë me shtatë fishekë.
Ai është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në një rast tjetër, një person dyshohet se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij të mitur.
Viktima është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Po ashtu, është raportuar edhe një rast ku një baba dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj vajzës së tij të mitur.
Në Obiliq, një person është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht babanë e tij.
Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Klinë, është arrestuar një person i dyshuar për ushtrim të dhunës fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Pejë janë raportuar tri raste.
Në njërin prej tyre, një person dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes, ndërsa në një rast tjetër një baba dyshohet se ka shkaktuar dhunë psikike ndaj vajzës së tij.
I dyshuari në këtë rast është liruar në procedurë të rregullt.
Po ashtu, në Pejë është raportuar një rast ku bashkëshorti është viktimë, ndërsa bashkëshortja dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj familjarëve.
Rasti është duke u hetuar.
Në Malishevë, një person është arrestuar nën dyshimin se në vazhdimësi kishte shkaktuar probleme në familje dhe kishte ushtruar dhunë fizike ndaj prindërve të tij.
Viktimave u është ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër është raportuar në Gjakovë, ku një person dyshohet se ka keqtrajtuar fizikisht vëllain e tij.
Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Policia ka bërë të ditur se rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente./teve1.info./







