Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet B.K., i dyshuar për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe falsifikim dokumentesh, në kuadër të rastit “Laboratori ’25”.
I dyshuari B.K. dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Falsifikimi i dokumentit”.Ai është arrestuar për rastin në një aksion të zhvilluar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Specialë ku është zbuluar një laborator për falsifikim të dokumenteve në janar të vitit të kaluar.
“Lidhur me operacionin policor të realizuar me datë 21 janar 2025, ku ishte arrestuar një person i dyshuar për përfshirje në veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Krim i organizuar”, sot Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ndaluar një person (1) të dyshuar B.K për 48 orë”-thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me rastin “Laboratori ‘25”.
Rasti “Laboratori ’25” nisi në janar të vitit 2025, kur Policia e Kosovës zbuloi në Prishtinë një laborator të sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve./teve1.info/










