Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se më 12 prill janë ndaluar tre persona me inicialet B.S., V.S. dhe S.S., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Sipas njoftimit zyrtar, incidenti ka ndodhur rreth orës 17:00 në fshatin Vragoli, në Komunën e Fushë Kosovës. ku dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje verbale ndërmjet palëve, situata ka eskaluar në përleshje fizike.
Gjatë konfliktit, sipas Prokurorisë, janë përdorur mjete të rrezikshme, përfshirë thika dhe shkopinj druri, si pasojë e të cilave disa persona kanë pësuar lëndime trupore.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Ndërkohë, në njoftim bëhet e ditur se ndaj tyre do të ndërmerren veprime të mëtejshme procedurale në përputhje me ligjin në fuqi.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në trajtimin e rasteve të tilla dhe në garantimin e sundimit të ligjit”, theksohet në njoftim./teve1.info/








