Janë mbeturinat që i lanë pas, nxënësit të mërkurën.
Por këto, nuk u larguan nga aty, që nga ajo ditë.
Kjo meqë, punëtorët teknikë të shkollës fillore “Asim Vokshi” në Prishtinë, hynë në grevë.
Shkak për këtë, ishte mos ekzekutimi i pagave.
Kjo gjë, thonë se ua rëndoi gjendjen financiare.
“Për zotin nuk e di si po ia dalim jemi duke jetuar në Kosovë, sa herë të shkosh në dyqan shtrenjtime ka. Unë nuk e di si po e hanë bukën ata me pagë 1000 euro na me 300 euro edhe nuk na i vendosin me rregull”, ka thënë një punëtori teknik.
E njëjta ka një kërkesë për kompaninë “Laguna” që është përgjegjëse.
“Kërkesa ime dhe e kolegëve të mi është të vendos rrogën e plotë e të kemi një datë të caktuar, a e marr më të pestin apo pesëmbëdhjetin unë pres por vetëm të kem një datë të caktuar edhe mos me ma vendos pjesë – pjesë rrogën”, u shpreh tutje punëtori.
E ky mesazh, thonë se nga kompania iu erdhi të hënën.
Në të thuhet se do t’u ekzekutohet vetëm një pjesë e pagës fillimisht, gjë që sipas punëtorëve nuk u ndodhi.
Ndërsa pjesa tjetër, u tha se do t’iu jepet gjatë javës.
“Jo këtë gjysmën e pagës nuk do të pranojmë, grevën e vazhduam por do të bisedojmë edhe me sindikatën nesër, me gjysmë page më nuk duam të punojmë. Deri sa të vendos rrogën e plotë nuk e vazhdojmë punën”, ka thënë edhe një pintorë.
Punëtorët teknik në këtë shkollë, thonë se mosekzekutimi i pagës, e bëri të vështirë edhe pritjen e festës së Bajramit.
“Nuk mundesh as me përshkrua, natë Bajrami mos me pas rrogën e nëse ish kanë data pesë apo gjashtë gjithqysh është deshtë me qitë për Bajram se ne e kemi kohën më të pestin apo gjashtin, mirëpo i njëzet e treti edhe erdhi Bajrami pa pagë unë veç në Kosovë kam parë se s’ka askund tjetër. Më rënd s’ka më ku shkon, kjo është tmerr, për këtë pagë po vijmë të gjithë, tash këtyre të shtetit ju ka ardh koha me marr pagën e dytë na ende e presim të shkurtit”, u shpreh tutje edhe punëtori tjetër.
Më një problem të tillë janë duke u përballur edhe disa shkolla të tjera në kryeqytet.
“Gjithë kjo ka ardhur si pasojë e mos bartjes së mjeteve nga Komuna e Prishtinës, thonë që Komuna e Prishtinës e ka bërë një pagesë simbolike për të cilën nuk kanë qenë të mjaftueshme për komplet pagën e këtyre punëtorëve. Ne si sindikatë jemi të gatshëm që qysh nesër të fillojmë me protesta dhe greva”, ka thënë Azemi.
E greva e punëtorëve teknikë, duket se dha frytet e saj.
Kjo meqë në orët e pasdites të së hënës, u bë e ditur se u ekzekutuan pagat e plota për ta.






