Njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu ka thënë se faktet tregojnë që sulmi terrorist në Banjskë dy vjet më parë ishte i planifikuar dhe organizuar nga shteti serb.
Ai ka thënë se Vuçiq, Qeveria e Serbisë dhe forcat e armatosura të këtij shteti ishin të përfshira në këtë sulm.
“Faktet e dokumentuara nga terreni, përgatitja dhe armët e grupit terrorist, hartat, videot dhe materialet e tjera ushtarake si dhe kanali i sigurt për depërtim në Kosovë dëshmojnë se ky sulm ishte një operacion i planifikuar, organizuar dhe i mbështetur nga nivelet më të larta të shtetit serb. Presidenti Aleksandar Vuçiq, qeveria e Serbisë dhe forcat e armatosura të Serbisë ishin të përfshira në mënyrë direkte dhe indirekte në këtë ndërmarrje. Objektivi final ishte krijimi i një zone të kontrolluar nga Beogradi në veri të Kosovës, si hap drejt aneksimit de facto të asaj pjese të territorit. Atë ditë edhe ushtria e Serbisë ka qenë në gjendje gatishmërie për të mbështetur terroristët”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Ai ka thënë se Milan Radoiçiq si udhëheqës i grupit terrorist vazhdon të mbrohet nga shteti serb dhe presidenti i saj.
“Ky fakt shpalos hapur lidhjen organike mes politikës zyrtare të Beogradit dhe strukturave kriminale-paramilitare që përdoren si instrumente të strategjisë shtetërore. Përveç që i lirë Radoiçiq ushtron ndikim në terren në mbështetje të SNS-it si rasti i djeshëm në komunën e Kosjeriqit e deri te ndikimi te Lista Serbe në zgjedhjet lokale në Kosovë”, ka shkruar Musliu.
Sipas tij për këtë sulm edhe reagimi i shteteve përndimore ka qenë i “vakët” duke shtuar se Serbia do duhej ndëshkuar.
“Një akt i këtij niveli, i cili përbën shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të parimeve të sigurisë kolektive, kërkon masa të qarta ndëshkuese ndaj Serbisë, sikurse sanksionet ekonomike, bllokim i procesit integrues dhe sanksionet individuale e futja në listë të zezë të lidershipit politik në Serbi. Kosova nuk kërkon asgjë më shumë sesa respektim të sovranitetit të saj dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar që e garanton atë. Ndëshkimi i Serbisë për agresionin e 24 shtatorit nuk është vetëm interes i Kosovës, por një domosdoshmëri për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e rendit ndërkombëtar”, ka shkruar ai.
Sot, bëhen dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Ky sulm ishte kryer nga grupi paraushtarak serb, i cili ishte i armatosur rëndë, e nga i cili mbet i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi – Afrim Bunjaku.