TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
Reklamo

​Murati prezanton projektbuxhetin 2027, opozita kritikon planifikimin dhe realizimin e investimeve kapitale

by tëvë1
6 minuta ago
0
A A
​Murati prezanton projektbuxhetin 2027, opozita kritikon planifikimin dhe realizimin e investimeve kapitale

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, raporton KosovaPress.

Gjatë shqyrtimit në parim të projektligjit, Murati tha se buxheti i vitit të ardhshëm do të financohet kryesisht nga të hyrat buxhetore, të cilat parashihen të arrijnë në 4 miliardë e 2 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër përmes financimit të deficitit, në përputhje me rregullën fiskale.

Ai bëri të ditur se deficiti buxhetor është planifikuar në dy për qind të Bruto Produktit Vendor, i cili parashihet të jetë 13.3 miliardë euro, duke rezultuar në nevojë për financim prej 266 milionë eurosh.

“Sa i përket buxhetit për vitin e ardhshëm bëhet fjalë prej një buxhet 4 miliard e 268.7 milionë euro, në anën e shpenzimeve buxhetore, ndërkaq këto shpenzime financohen kryesisht nga të hyrat që janë 4 miliard e 2 milionë euro si dhe pjesa tjetër është financim i deficitit që është në kuadër të rregullës fiskale. Për vitin e ardhshëm parashihet deficiti buxhetor prej 2 për qind të bruto produktit vendor. Marrë parasysh se bruto produkti vendor është 13.3 miliard euro i parashikuar, nevoja për financim, apo deficiti buxhetor rezulton me 266 milionë euro. Kësisoj, ne i jemi përmbajtur rregullës fiskale, por në të njëjtën kohë jemi munduar që të reflektojmë rritjen ekonomike, e cila shfaqet përmes rritjes së të hyrave dhe në anën tjetër jemi munduar që këto të hyra pra t’i shpërndajmë në mënyrë sa më të drejtë, por njëkohësisht edhe duke zbatuar dhe duke u mbështetur në prioritetet e qeverisë”, ka thënë Murati.

Sipas Muratit, në kategorinë e pagave janë planifikuar 1 miliard e 84.9 milionë euro, për mallra dhe shërbime 588 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale 1 miliard e 70 milionë euro.

“Sa i përket kategorive, pra të shpenzimeve, parashikohet që 1 miliard e 84.9 milionë euro të jenë pagat, 588 milionë euro të jenë mallrat dhe shërbimet, 1 miliard e 446 milionë euro të jenë subvencionet dhe transferet, rezerva rrjedhëse të parashikohet të jetë 11.9 milionë euro, si dhe interesi për borxhin publik pra 55 milionë euro. Ndërkaq, tek investimet kapitale, parashikohet shuma prej 1 miliard e 70 milionë euro, e këtu duhet të theksoj edhe faktin që nga viti i ardhshëm, pra s’kadon klauzola investimesh, me fjalë të tjera, pra e gjithë shuma e investimeve kapitale të parapara është e financuar nga granti buxhetor, por edhe nga deficiti, dhe e gjitha pra përfshihet në kuadër të 2 për qind deficitit të paraparë sipas rregullës fiskale. Pra, nuk ka tejkalim mbi nivelin 2 për qind, siç e kemi pasur deri në vitin aktual pra me rregullën fiskale ku financimet apo projektet kapitale të financuara nga klauzola e investimeve kanë qenë të përjashtuara. Marrë parasysh, pra, këtë buxhet dhe këtë nivel rekord të të hyrave por edhe të planifikimit të shpenzimeve, konsideroj se është tejet e rëndësishme pra që të procedohet tutje”, ka theksuar Murati.

Megjithatë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, kritikoi planifikimin e investimeve kapitale, duke thënë se në vazhdimësi ka pasur mospërputhje mes shumave të planifikuara dhe realizimit të tyre.

“Kemi parë që kjo qeveri ka planifikuar shumë në investime kapitale, por, zbatushmeria ka qenë e dobët… Buxheti me shifra të mëdha nuk do të thotë se është mirëqenia më e mirë, sepse inflacionin e kemi pas tepër të lartë. Në raporte të ndryshme kemi të paraqitura shifra të ndryshme, psh, Eurostat është 7.8 për qind inflacioni, ndërsa të tjerat deri në 7.1 deri në tetor 2026. Dhe prej këtyre nominale me atë reale, i bie që zhvillim ka pas rreth 1 për qind, sepse paratë që i kemi pas në 2026 nuk janë shpenzuar, e kanë humbur edhe vlerën….Kam disa çështje për t’i ngritur, sidomos tek bujqësia dhe fermerët, te cilët shihet se ka numër të subvencioneve të planifikuara, por fatkeqësisht nuk merren me kohë. Sa i përket mbështetjes, ju kujtohet besoj edhe herët e kaluara, kur kam pasur amandamente të drejtpërdrejta që i ndihmojnë fermerët në një farë forme t’i marrin subvencionet me keste, që në fillim të punëve të tyre në ara të kenë mbështetje në këtë drejtim. Pjesa që më ka lënë përshtypje është te projektet në këtë projektbuxhet që janë të planifikuara me zero. Sa janë gjithsej? A ishin 65 projekte apo sa janë kode buxhetore që janë planifikuar me zero? Pastaj janë projektet e reja që kanë të planifikuar vetëm 1 milion euro, të cilat realisht planifikohen të realizohen në vitet 2028 dhe 2029”, tha Lushtaku.

Në përgjigje, Murati tha se mosrealizimi i plotë i investimeve kapitale është problem i vazhdueshëm dhe jo vetëm i viteve të fundit.

Ndërsa ka treguar edhe shkaktarët që sipas tij kanë ndikuar në inflacion.

“Sa i përket ekzekutimit të projekteve kapitale, është një situatë kronike, nuk është vetëm në këtë vit, apo në disa prej viteve paraprake, që prej mbaj mend, dhe që prej secili që ka punuar në sektorin publik, dhe që është marrë me çështjen e financave publike e din që ekzekutimin i projekteve ka ngecur në vazhdimësi. Kjo vie kryesisht për shkak disa faktorëve, që janë përtej Ministrisë së Financave. Fillimisht bëhet fjalë për kapacitetet zbatuese nëpër ministri të linjës sa i përket planifikimit, këtu hyn pastaj edhe niveli lokal tek organizatat buxhetore, pra, janë edhe komunat… Sa i përket çështjes se ekzekutimi të investimeve kapitale mund të them se ka përmirësim të trendit…Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktar, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditje globale të çmimeve të energjisë , por edhe të ushqimeve, deh tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, tha Murati.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se buxheti nuk duhet të shihet vetëm si dokument financiar, por si dokument strategjik që përcakton drejtimin ekonomik të vendit.

Hoti kritikoi mungesën e, siç tha, një plani të qartë për ruajtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve, duke përmendur pagat, pensionet, asistencën sociale dhe skemat e tjera mbështetëse.

“Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik…Rreth një e treta e të ardhurave kombëtare qeveria jua merr qytetarëve dhe bizneseve. Rreth 32 për qind është vitin e ardhshëm. Pra është një e treta e të ardhurave kombëtare që e marrim, e merr shteti edhe e investon, e shpenzon në forma të ndryshme që është pak kryesisht përmes buxhetit ne i japim drejtim, ekonomik ose duhet t’i japim drejtim ekonomisë, sepse një e treta e rrjedhës së aktiviteteve ekonomikë ne e marrim, e fusim në shtet…Shpenzimet sektoriale, çka po duam me bë me shëndetësi? Çka duam me bë me me u siguruar që njerëzit nuk shpenzojnë 40 për qind të shpenzimeve shëndetësore totale që qytetarët i paguajnë prej xhepit vetë? Ne kot mund të themi që në spitalet tona publike shëndetësia është falas, por 40 për qind e shpenzimeve që i kanë mesatarisht secila familje për shëndetësi i paguajnë vetë. Ose cili është, cili është plani strategjik i juaj në infrastrukturë?…Ne nuk mund të vazhdojmë një dekadë të tonë, një dy-tre vjet në qeveritë paraprake dhe gjashtë vjet në qeverinë tuaj, asnjë rrugë prej arterieve kryesore nuk është përfunduar. Nuk po hy te projektet individuale. Po cili është koncepti te infrastruktura? Kur do me i përfundu këto rrugë? Cili është koncepti juaj për hekurudha tash? Çka po bëhet me atë hekurudhën për Durrës?”, tha Hoti.

Në përgjigje të Hotit, Murati tha se jo të gjitha zotimet mund të përfshihen në ndarjet buxhetore të këtij projektligji, pasi disa prej tyre nuk kërkojnë drejtpërdrejt ndarje buxhetore.

“Sa i përket ndarjeve buxhetore nuk mund te them të gjitha, por, shumica, sepse, ky buxhet nuk shkon deri në fund të mandati, ka edhe viti 2030 është viti i mandatit tonë. Kështu që, jo të gjitha mund të jenë të planifikuara…Sa herë që ka ligj që ndryshohet, e parasheh edhe ligji, nëse ndikimi në të hyrat është aq i madh mund të ketë edhe rishikim buxhetor, mirëpo nuk e konsiderojmë që kjo ndikon në ulje të të hyrave, përkundrazi, mund të rris investimet…Pastaj çështja si Brezovica, p.sh aeroporti kur është nda me koncesion nuk ka qene në buxhet, sepse nuk ka investuar shteti aty…Më kujtohet që edhe në vitin 2021 kur e pata sjell buxhetin për vitin vijues, njëri nga komentet, vërejtjet e deputetit Hoti kanë qenë se në buxhet nuk janë të përfshira fare shtesat e fëmijëve, kësisoj konkludimi i tij pat qenë se këta nuk do të bëhen, nëse mund të ju citoj saktë”, tha Murati.

“Kurrë nuk mund të më citosh, cka të flet ti e shtrembon. Kurrë fjalën tende të mirëqene nuk e marrim”, tha Hoti.

Ndërkaq, në fund të diskutimit, Murati iu përgjigj edhe çështjes së Fondit Zhvillimor të Veriut, duke thënë se ai është rezultat i marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, e cila është ratifikuar edhe me votat e deputetëve të LDK-së.

“Sa i përket projekteve individuale ju ftoj të shkoni në komisionet përkatëse të linjave në mënyrë të diskutoni me ministra. Buxheti shqyrtohet edhe në ato komisione…Fondi zhvillimor i veriut është rezultat i një marrëveshjeje në Bruksel e vitit 2013, dhe ajo marrëveshje është ratifikuar, mbase nuk e di nëse keni qenë deputet dhe keni votuar për ratifikimin e saj, por është ratifikuar edhe nga votat e deputeteve të LDK-së. Nuk mund të zhbëhet njëanshëm nga Kosova”, tha Murati.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Hoti, e pyeti ministrin Murati se sa janë san­uar problemet financiare të trashëguara nga qeveritë e kaluara, duke përmendur në veçanti borxhet që kanë rënduar buxhetin e Kosovës.

“Ministër desha të pyes nga e kaluara e mbrapsht e trashëguar sa keni arritur t’i sanoni plagët financiare në buxhetin e Kosovës. Sigurisht borxhet kanë qenë shumë të mëdha në totaline buxhetit”, tha Hoti.

Për këtë Ministri i Financave, Hekuran Murati, në përgjigje të deputetit të LVV-së, Valon Hoti, tha se borxhet dhe faturat e papaguara, më të vjetra se 30 ditë, në momentin kur kanë marrë mandatin qeverisës kanë qenë mbi 140 milionë euro.

“Sa i përket borxheve apo faturave të papaguara që janë dorëzuar dhe kanë qenë më të vjetra se 30 ditë, në momentin kur kemi marrë mandatin kanë qenë mbi 140 milionë euro. Në vitin 2025 kemi arritur të sjellim këtë shifër në 20 milionë euro”, tha Murati.

Anëtarja e Komisionit për Buxhet nga Aleanca, Teuta Haxhiu, kritikoi ndarjen buxhetore për rrugën Dollc-Gjakovë, duke thënë se për vitin 2027 janë planifikuar vetëm tre milionë euro, ndërsa për vitet 2028 dhe 2029 nuk është paraparë asnjë shumë për këtë projekt.

“Po ndalem shkurt tek rruga Dollc-Gjakovë. Asnjë centë i vetëm nuk është paguar për shpronësime, pra hiq nga koka. Ajo rrugë që ka filluar në kohën tonë e që fatkeqësisht ka shumë viktima që sot janë dhimbje e familjes, e secilës prej neve që ka ndodh për shkak të moskryerjes së punimeve. Ju si qeveri e si ministër keni ndarë buxhet për këtë rrugë në 2027-ën 3 milionë. Kurse nuk e keni ndarë asnjë cent as në 2028-ën, as në 2029-ën. Që i bën që punimet diku rreth 50 përqind janë kryer. Që i bën që ju e keni mbyllur. Ju sipas këtij buxheti që ne e kemi, ju nuk e keni qitë asnjë cent tjetër për vitet e tjera. Pra edhe një herë, shpërndarje me zero, mos mashtroni”, ka thënë Haxhiu.

ShareTweet

Postime të ngjashme

​NATO po vlerëson kapacitetet mjekësore të FSK-së, Maqedonci dhe Jashari vizitojnë ekipet

​NATO po vlerëson kapacitetet mjekësore të FSK-së, Maqedonci dhe Jashari vizitojnë ekipet

BE zgjeron sanksionet ndaj Rusisë, miratohen masa të reja ndaj 43 individëve dhe 100 kompanive

BE zgjeron sanksionet ndaj Rusisë, miratohen masa të reja ndaj 43 individëve dhe 100 kompanive

Tre ekspertë do të angazhohen në Komisionin Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt

Tre ekspertë do të angazhohen në Komisionin Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt

Kurti në Francë kërkon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE

Kurti në Francë kërkon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE

​NATO po vlerëson kapacitetet mjekësore të FSK-së, Maqedonci dhe Jashari vizitojnë ekipet

​NATO po vlerëson kapacitetet mjekësore të FSK-së, Maqedonci dhe Jashari vizitojnë ekipet

​Murati prezanton projektbuxhetin 2027, opozita kritikon planifikimin dhe realizimin e investimeve kapitale

​Murati prezanton projektbuxhetin 2027, opozita kritikon planifikimin dhe realizimin e investimeve kapitale

BE zgjeron sanksionet ndaj Rusisë, miratohen masa të reja ndaj 43 individëve dhe 100 kompanive

BE zgjeron sanksionet ndaj Rusisë, miratohen masa të reja ndaj 43 individëve dhe 100 kompanive

KB Peja forcohet me qendrën Hemphill

KB Peja forcohet me qendrën Hemphill

Tre ekspertë do të angazhohen në Komisionin Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt

Tre ekspertë do të angazhohen në Komisionin Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt

Bostoni mposht Philadelphian dhe i merr kreun e Konferencës së Lindjes

Bostoni mposht Philadelphian dhe i merr kreun e Konferencës së Lindjes

“Kuqezinjtë” mbyllin përgatitjet në “Air Albania”

“Kuqezinjtë” mbyllin përgatitjet në “Air Albania”

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën