Murali i Nënë Terezës është vendosur në një objekt tjetër në sheshin “Zahir Pajaziti”, përballë objektit ku ishte planifikuar fillimisht të vendosej.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se vendosja në këtë lokacion është e përkohshme dhe se murali do të qëndrojë aty deri në mundësimin e vendosjes në lokacionin e planifikuar, në objektin e Ministrisë së Ekonomisë.
Gjatë ditës së sotme, Rama dhe zyrtarë komunalë janë përplasur me Policinë e Kosovës lidhur me vendosjen e mozaikut të Nënë Terezës, në vlerë prej 15 mijë eurosh.
Punimet në objektin e Ministrisë së Ekonomisë janë pezulluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit, deri në një vendim të gjykatës.
Ndërkaq, Rama e ka cilësuar këtë veprim si bllokim politik.










