Avokati Muhamet Mujaj ka shprehur skepticizëm lidhur me rezultatet që mund të sjellë Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Mujaj ka thënë se bazuar në përvojat e deritanishme, komisionet hetimore parlamentare kanë kryer disa detyra, por nuk kanë arritur të prodhojnë rezultate konkrete.
Megjithatë, ai ka shprehur shpresën se komisioni i sapoformuar do të arrijë të sjellë rezultate.
“Sa i përket pjesës së komisionit parlamentar, ne nga përvoja kemi parë që komisionet parlamentare i kryejnë disa detyra, por kurrë asnjëherë rezultat nuk kanë prodhuar. Unë mbaj shpresën se do të prodhojnë rezultat, por të tilla kanë qenë dhe të tilla janë vlerësuar, sepse nuk ka pasur diçka konkrete që u është drejtuar”, ka deklaruar Mujaj.
Ai ka vlerësuar se në vend të, siç i quajti, formaliteteve dhe masave kozmetike, institucionet e vendit duhet të ndërmarrin veprime më konkrete për hartimin e strategjive dhe politikave për parandalimin e dhunës në familje.
Sipas tij, Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca, në bashkëpunim me akterët e tjerë relevantë, duhet të organizojnë konferenca dhe takime serioze për të trajtuar këtë problem.
Mujaj ka kritikuar edhe praktikën e shkarkimeve dhe pezullimeve të zyrtarëve, duke thënë se në disa raste personat e larguar nga puna rikthehen në pozitat e tyre pas disa muajsh.
“Shteti, në këtë rast Qeveria, Kuvendi e pse jo edhe Presidenca, së bashku me akterët e tjerë të përfshirë drejtpërdrejt, do të duhej të thërrisnin konferenca dhe të organizonin takime serioze për të krijuar strategji dhe politika, e jo të merren me këto formalitete e masa kozmetike. ‘E kemi shkarkuar një atje’, ‘po e shkarkojmë një këtu’, ‘e kemi pezulluar nga puna një’, e pas pesë-gjashtë muajsh kthehen sërish në punë. Këso raste kemi parë vazhdimisht”, ka shtuar ai.
Ai ka paralajmëruar se nëse dhuna në familje nuk trajtohet me seriozitetin e duhur, rastet e tilla do të vazhdojnë.
Në veçanti, avokati ka theksuar nevojën që institucionet t’i trajtojnë me më shumë seriozitet paralajmërimet për dhunë dhe të vendosin masa më të forta ndaj personave të dyshuar për ushtrim të dhunës, në mënyrë që të parandalohet qasja e tyre te viktimat.
“Nëse kjo çështje nuk merret seriozisht, rastet vetëm do të vazhdojnë. Është problem t’i ndalosh ato, për shkak se ne e dimë që çdo vendim për të vrarë dikë është vendim individual dhe i brendshëm psikik, i cili është i vështirë për t’u identifikuar. Mirëpo, në rastet e dhunës në familje dihet se kush është kryerësi i dhunës dhe, së paku, do të duhej t’u vendoseshin dhunuesve pengesa të mëdha për të arritur te viktimat. Gjithashtu, kur ka paralajmërime në institucione, ato duhet të trajtohen me më shumë seriozitet”, ka përfunduar Mujaj.
Ndryshe, Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, është konstituar këtë të hënë.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Ndërkohë, katër ditë më vonë, Kuvendi i Kosovës e kishte themeluar këtë Komision./teve1.info/







