Të mërkurën, Komisioni Qendror Zgjedhor nuk certifikoi listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sërish ky veprim i KQZ-së, ngjalli reagime.
Ambasada Gjermane në Kosovë ka thënë se kjo sjellje ndikon negativisht për Kosovën.
“Siç e theksuam javën e kaluar, procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë. Sjellja penguese e disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët refuzojnë të verifikojnë Listën Serbe dhe kandidatët e saj, ndikon negativisht në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, thuhet në reagimin e ambasadës gjermane.
Si shqetësuese moscertifikimin e Listës Serbe e kanë parë edhe Demokracia për Veprim.
Ata kanë treguar se kush i verifikon kandidatët se a i plotësojnë kushtet apo jo për kandidim.
“Kompetencën për të verifikuar kandidatët nëse kanë plotësuar kushtet apo nuk i kanë plotësuar sipas Ligjit, e ka vetëm Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll financiar të subjektiveve politike. Sipas neni 27 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Zyra i rekomandon KQZ-së për ose kundër certifikimit. Zyra këtë veprim e ndërmerr pasi që shqyrton listat e kandidatëve. Sipas Ligjit, kompetenca e KQZ-së në këtë rast është vetëm formale për ta votuar dhe miratuar vendimin e një trupe profesionale të KQZ-së. Për më tepër, sipas nenit 30 të ligjit, përshtatshmëria juridike e kandidatëve vlerësohet vetëm mbi bazën e vlerësimeve të institucioneve relevante, filtër ky i përmbushur nga kandidatët e subjektit në fjalë”, thuhet nga DnV.
Por një përgjigje për këto reagime nuk e pati kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Ajo është çështje e Ambasadës Amerikane. Është çështje e KQZ-së. Unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës”, u shpreh Kurti.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë përsëritur qëndrimin se nuk kanë votë për Listën Serbe.
Zëdhënësi i këtij subjekti, Arlind Manxhuka thotë se nuk po iu drejtohen Prokurorisë pasi këta të fundit kanë mjaftueshëm prova për mos certifikim.
“Qëndrimi ynë karshi Listës Serbe është parimor dhe konkret. Vota jonë karshi këtij subjekti politik vazhdon të jetë e njëjtë prej kohësh, dhe jo që nuk ka ndërruar asgjë për të ndryshuar mendje, por ky subjekt ka vazhduar intensitetin e luftimit institucional, dhe jo vetëm, të Republikës së Kosovës. Tutje, ata në kohën kur ndodhi sulmi terrorist i Banjskës, nënkryetar e kishin prijësin e atij sulmi, Milan Radoiçiq, dhe sot e asaj dite nuk janë distancuar nga ai akt. Për më tepër, ata për terroristët e vrarë kanë mbajtur edhe tri ditë zie. Nuk ke çfarë dërgon në Prokurori kur tashmë ka të dhëna me bollëk në këtë drejtim. Por, fakti që PZAP apo kushdo vendos siç ka vendosur në raste tjera, kjo nuk e bën problematik votimin tonë parimor, por vetë vendimin e PZAP-it. Për aq kohë sa kërkohet votim, ne do të votojmë ashtu siç vlerësojmë se është në interes të përgjithshëm dhe shtetëror. Dhe ashtu do të duhej të votonin të gjithë”, ka thënë ai.
Javën e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk certifikoi Listën Serbe, por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vendosi të certifikoj këtë subjekt politik.






