Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se letra e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla dërguar Byrosë së KIE është zyrtare dhe duhet trajtuar seriozisht.
Ai tha se një premtim i tillë i ngjanë atij të Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), është premtim për autonomi.
Tutje, ai ka thënë se kjo letër e nxjerr Asociacionin nga Pakoja e Marrëveshjes Bazike dhe sipas tij, kryeministrit, Albin Kurti kurrë nuk i besohet.
“Premtimi për një statut që i ngjanë atij të FES, është premtim për autonomi. Ky draft ishte refuzuar nga VV me 30 janar 2023. Tutje, kjo letër e nxjerr Asociacionin nga Pakoja e Marrëveshjes Bazike. Aq shumë ishte trumbetuar kjo gjë në publik si një pikë që s’kalohet, për t’u kaluar si një lëvizje e vogël taktike. Kjo tregon për llojet e marrëdhënieve që kultivon Kurti. Me këdo, qoftë qytetarë ose ndërkombëtar, Kurtit kurrë nuk i besohet. Fjala është taktikë lufte. Kështu, e vetmja marrëdhënie me të është ajo instrumentale. Kjo në fakt nuk është marrëdhënie, është mohim i tjetrit”, ka shkruar ai në Facebook.