Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës është lënduar lehtë gjatë një aktiviteti stërvitor në njërin nga poligonet e kësaj force. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes, e cila ka sqaruar se rasti ka ndodhur më herët.
Përmes një njoftimi, Ministria ka reaguar pas raportimeve në media lidhur me incidentin, duke konfirmuar se pjesëtari i FSK-së ka pësuar lëndime të lehta gjatë trajnimit.
“Sa i përket njoftimeve nga mediat lidhur me lëndimin e lehtë të një pjesëtari të FSK-së, gjatë trajnimit ju informojmë që rasti ka ndodhur më herët në një nga poligonet e FSK-së”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në reagimin e saj, Ministria ka theksuar se trajnimet e FSK-së, veçanërisht ato që zhvillohen me municione, përfshijnë nivel të lartë rrezikshmërie. Megjithatë, sipas saj, para realizimit të aktiviteteve ndërmerren masa parandaluese për të garantuar sigurinë e pjesëtarëve.
Këto masa përfshijnë përdorimin e pajisjeve individuale dhe kolektive mbrojtëse, si dhe zbatimin e procedurave për menaxhimin e rrezikut gjatë aktiviteteve stërvitore.
Ministria ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë çdo aktiviteti të FSK-së janë të angazhuara ekipet mjekësore, të cilat janë të gatshme të ndërhyjnë dhe të realizojnë evakuimin e mundshëm në rast nevoje.
Sipas njoftimit, masat e sigurisë që zbatohen gjatë trajnimeve janë në përputhje me standardet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ato të NATO-s.
“FSK është e vetëdijshme që profesioni ushtarak përbën në vete një rrezikshmëri të lartë, në përmbushje të misionit kushtetues dhe ligjor, megjithatë në relacion me nivelin e aktiviteteve, numri i aksidenteve mbetet i vogël për shkak të masave të sigurisë në menaxhimin e rrezikut”, thuhet më tej në komunikatën e Ministrisë.
Në fund, Ministria e Mbrojtjes ka ritheksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të procedurave të sigurisë, me synim mbrojtjen e personelit dhe minimizimin e rreziqeve gjatë ushtrimit të detyrave dhe aktiviteteve profesionale.







