Dogana e Kosovës ka zbuluar 43 armë të gjata gjatë kontrollit dhe skanimit të një automjeti të tipit VW Caddy, me targa të huaja.
Sipas njoftimit të Doganës, zbulimi është bërë falë pajisjeve të avancuara skanuese dhe profesionalizmit të zyrtarëve doganorë.
Gjatë kontrollit janë identifikuar dhe sekuestruar 42 pushkë automatike të tipit AK-47 (Kallashnikov), një pushkë e tipit Walther, e kalibrit 12 mm, si dhe 41 karikatorë për armë të tipit AK-47.
Dogana ka bërë të ditur se pas identifikimit të ngarkesës, rasti është trajtuar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente të drejtësisë, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
Në njoftim, Dogana ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadës amerikane në Kosovë, përmes së cilës janë fuqizuar kapacitetet teknologjike dhe operative të institucionit.
Sipas Doganës, pajisjet skanuese të siguruara përmes kësaj mbështetjeje kanë luajtur rol të rëndësishëm në zbulimin e armëve.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, trafikimit të armëve, narkotikëve dhe çdo forme tjetër të veprimtarisë së kundërligjshme, duke shfrytëzuar kapacitetet profesionale, teknologjike dhe bashkëpunimin ndërinstitucional për të garantuar sigurinë e vendit dhe mbrojtjen e qytetarëve”, theksohet në njoftim./teve1.info/







