Uji përdoret nga të gjithë, por jo të gjithë e paguajnë atë.
E vetëm në kryeqytet, borxhi që konsumatorët kanë llogaritet të jetë dhjetëra miliona euro.
Madje, as lehtësirat që Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” u bëri klientëve, nuk po kryejnë punë.
“Borxhi total i konsumatorëve ndaj KRU “Prishtina” aktualisht arrin rreth 45 milionë euro. Për t’ua lehtësuar qytetarëve shlyerjen e këtij borxhi, KRU ‘Prishtina’ ka ndërmarrë një iniciativë për pagesë më të favorshme. Konsumatorët kanë mundësinë që të paguajnë 10% të borxhit total menjëherë, ndërsa pjesën e mbetur ta paguajnë me këste mujore, nga 12 deri në 35 muaj, pa kosto shtesë. Njëkohësisht, konsumatorët duhet të nënshkruajnë kontratat për shërbime me KRU ‘Prishtina’, në mënyrë që furnizimi dhe shërbimet të jenë të rregulluara sipas marrëveshjes”, deklaroi zëdhënësja e kompanisë, Arjeta Mjeku.
Gjendje hiq më e mirë nuk është as në Mitrovicë.
Atje, borxhi që qytetarët kanë ndaj KRU “Mitrovica” kap shifrën rreth 17 milionë euro.
“Në njërën anë thirremi nga qytetarët për shërbim cilësor e në anën tjetër, atë shërbim që e bëjmë, si do të jetë cilësor a po jo varet nga këndvështrimi i qytetarëve dhe ai shërbim nuk paguhet, atëherë në definitivisht nuk e dimë nga kemi me marr pare me ofru shërbimin sa më cilësor. Pra shërbimi ofrohet vetëm nëse kemi mjete të mjaftueshme me investu në infrastrukturë”, thotë kryeshefi i kompanisë, Bashkim Kurti.
Mospagesa për shërbimet që marrin, sipas shoqërisë civile, ndodh në mungesë të vetëdijës qytetare.
Kësisoj kërkohet reagim nga shteti.
“Besoj që institucionet tona duhet ta bëjnë punën e tyre e mandej të identifikohen kush paguan e kush jo edhe pse ne si Iniciativë Qytetare nuk jemi të kënaqur me punën që është bërë, sepse ka hapësirë për përmirësime”, tha Betim Osmani nga “Iniciativa qytetare”.
Të dy kompanitë, kanë njoftuar vazhdimisht që nëse qytetarët nuk paguajnë borxhet që kanë, do të vazhdojnë t’i shkyçin gradualisht.
Kronikë e realizuar nga gazetari Driton Sadiku.






