Basketbollisti i Trepçës, Mikaile Tmushiq e ka fituar epitetin e lojtarit më të mirë për javën e nëntë të Superligës së Kosovës.
FBK-ja, të hënën ka njoftuar se Tmushiq është shpallur “MVP i Javës” pasi udhëhoqi Trepçën drejt fitores së radhës në kampionat.
Ai kontribuoi me 20 pikë, 5 kërcime e 3 asistime në fitoren e Trepçës ndaj Golden Eagle Yllit, si dhe u përfshi në pesëshen më të mirë të xhiros.
Vend në ekipin më të mirë, kanë zënë edhe dy basketbollistët e Vëllaznimit, Michael Nuga e Arian Azemi, pastaj Malcolm Armstead i Yllit dhe Tervell Beck i Pejës.
Nuga realizoi 25 pikë kurse Azmi pati 12 pikë e 9 kërcime në fitoren e Vëllaznimit ndaj Bashkimit.
Armstead pati 27 pikë në humbjen e Yllit nga Trepça, ndërsa Beck realizoi 18 pikë e 6 kërcime në triumfin e Pejës ndaj Prizrenit.
Në fakt, xhiroja e 9-të e Superligës mbyllet sonte me ndeshjen Sigal Prishtina – Bora që nis prej orës 19:00.