Në sallën ku mblidhen çdo ditë pune gjenden edhe të shtunën.
Mësimdhënësit e shkollës së mesme të ulët ‘Gjergj Fishta’ në kryeqytet, iu përgjigjën pozitivisht vendimit të MASHT-it për të kompensuar të shtunën mësimin e humbur në grevë.
Megjithatë, për ta vijuar mësimin me rregull ata nuk i patën në shkollë nxënësit.
Njëra prej arsimtarëve thotë se kështu vendosën prindërit e me të cilët s’po pajtohet.
“Nxënësit s’na kanë ardhë, kjo ka qenë prindërit s’kanë leju. Une s’po pajtona me prind. Duhet m’i lanë fëmijët me ardhë. Ka mundësi ndonjë me shku e kanë planifiku naj vikend, por jo të gjithë. Kemi punu edhe herave tjera të shtuneve”, thotë Emine Llalloshi, arsimtare e Edukatës Fizike në shkollën “Gjergj Fishta”.
E një arsimtar tjetër në këtë shkollë po e fajëson Ministrinë e Arsimit për situatën e krijuar.
“Ministria e Arsimit po vendos njëanshëm, pa bashkëpunim, pa e përfill Kontratën Kolektive, pa asgjë. Dhe prandaj sot është kaos”, thotë arsimtari i gjuhës shqipe, Ibrahim Rrahmani.
Në një shkollë tjetër të mesme të ulët në kryeqytet mësimi u mbajt.
Por ndryshe nga ditët e javës, arsimtarët mbajtën mësim me më pak nxënës.
“Sot janë prezentë të gjithë mësimdhënësit të ciklit të lartë nga klasa 6-8 por numri i nxënësve është shumë i vogël, deri tani kanë ardhë 60 nxënës. Gjatë javës i kemi mbajt mbledhjet me prind, shumica e tyre janë deklaru që nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë të shtunave”, thotë sekretaresha e shkollës “Pjetër Bogdani”, Flora Emini.
Për ta gjetur mënyrën më të mirë të zëvendësimit të orëve të humbura, nga SBAShK-u thonë se duhet të ketë dialog mes tyre, ministrisë, drejtorëve të arsimit dhe atyre të shkollave. Megjithatë për ta, kjo çështje më së miri është të lihet në dorë të këtyre të fundit.
“Në Kontratën Kolektive dmth aty ceket shumë mirë që orët e grevës nuk do të zëvendësohen mirëpo me një bashkëpunim me ta dhe t’ju lihet të lirë drejtorive komunale të arsimit dhe kryesisht drejtorëve të shkollave që të kenë autonominë e tyre dhe ta bëjnë zëvendësimin e orëve”, deklaroi Ahmet Pllana, kryetar i SBASHK-ut në Prishtinë.
Teksa Këshilli i Prindërve vlerëson se mësimi të shtunave është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.
MASHT-i ditë më parë ndryshoi kalendarin shkollor për vitin 2022/23 me ç’rast vendosi që 22 ditët e humbura në grevë të kompensohen në 8 të shtune dhe gjatë pushimit pranveror.
Kronika e realizuar nga gazetari Gojart Jashari.