Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i përjetshëm, i tillë ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë.
Ai tha se FSK është ngritur duke pasur mbështetje të fuqishme nga SHBA.
“Ushtria jonë është ngritur para se gjithash duke pas mbështetje të fuqishme nga ShBA-të, jam i bindur që zhvillimi i mëtutjeshëm i yni do të vazhdojë edhe më tutje.
Ne ndajmë vlera dhe parime të njëjta, paqe dhe siguri për të gjithë pa dallim. Anëtarësimi ynë në NATO mbetet prioritet për ne sepse vetëm kur të arrihet kjo mund të kemi paqe të qëndrueshme”, ka shkruar ai.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka thënë dje se stërvitje në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, nuk do të ketë për Kosovën.
“Sot nuk ka pasur aktivitet për Defender Europe ’23, dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë përfunduar”.
Ndryshe, Ministria e Mbrojtjes në një komunikatë për medie bëri të ditur se për shkak të situatës në veri të vendit, aktiviteti i paraparë në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, është anuluar.