Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 57-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar mbanë kodin W02951 në këtë proces gjyqësor dhe dëshmia e tij është duke u dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun.
Në sallën e gjyqit të pranishëm janë fizikisht të gjithë të akuzuarit përveç Jakup Krasniqit i cili është përmes video-lidhjes.
Dëshmia e këtij dëshmitari ishte planifikuar të nis ditën e djeshme pasi përfundoi dëshminë i 56-ti, por sipas trupit gjykues, ky dëshmitar nuk ishte gati, kështu që pjesa e fundit e seancës së djeshme u pezullua.
Dëshmitari i 56-të thuhet se ka folur për një person të cilin e ka arrestuar UÇK-ja dhe më pas ka dëgjuar që është keqtrajtuar. Sipas përmbledhjes së ZPS-së, ky person nuk është gjetur kurrë.
Përveç këtij dëshmitari, dëshminë dje e ka mbaruar Ramiz Qeriqi i cili gjatë kohës së luftës ka qenë komandant në batalionin e dytë të Brigadës 121 në Zonën e Pashtrikut. Ai ka folur për kontaktet që kishte pasur me të akuzuarit, pozitat e tyre dhe funksionimin e UÇK-së. Megjithatë, mbrojtja e Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq i ka thënë atij se është i dyshuar në këtë proces gjyqësor.