TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
Reklamo

Me një listë të vetme, opozita serbe në Kosovë synon ndryshime politike

by teve1
3 minuta ago
0
A A
Me një listë të vetme, opozita serbe në Kosovë synon ndryshime politike

Ndërsa skena politike në Kosovë po riorganizohet sërish para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, një pjesë e opozitës serbe është bashkuar, për të treguar se ekziston një “zë tjetër politik”, i pavarur nga politika zyrtare e Prishtinës dhe e Beogradit.

Gjashtë subjekte politike serbe do të përpiqen më 7 qershor që, me një listë të përbashkët të quajtur “Bashkë fitojmë”, të hyjnë në Kuvendin e Kosovës, ku komuniteti serb i ka dhjetë ulëse të rezervuara.

Në zgjedhjet e fundit, më 28 dhjetor, Lista Serbe fitoi nëntë mandate, ndërsa një mandat e mori Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit.

Lista Serbe, që nga themelimi i saj, vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar, ndërsa Rashiq shihet si partner i Qeverisë së Kosovës, me në krye Albin Kurtin, në të cilën për dy mandate ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim.

Tani, partitë e tjera serbe: Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, Fytyra e Re dhe Demokracia Serbe, si dhe iniciativat qytetare Veriu për të Gjithë dhe Rrënjët, thonë se duan t’u ofrojnë pjesëtarëve të komunitetit serb një “perceptim tjetër të rrethanave politike” dhe të jenë “zëri i tyre autentik”.

Zoran Saviq, nga organizata joqeveritare “Aktiv” në Mitrovicë të Veriut, vlerëson se opozita serbe në Kosovë e ka kuptuar se vetëm e bashkuar mund të arrijë një rezultat më serioz politik dhe të bëhet faktor më i rëndësishëm në skenën politike.

“Në radhë të parë, bashkimi i opozitës serbe krijon hapësirë për ndryshime politike, sepse, pas më shumë se një dekade politikash që nuk kanë dhënë rezultate, mes qytetarëve me të cilët takohem çdo ditë, ka pakënaqësi”, thotë Saviq.

Për ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, bashkimi i një pjese të opozitës serbe në Kosovë është “fillimi i një ekzistence të qëndrueshme të komunitetit serb”.

Ajo beson se ata do të arrijnë t’i mbrojnë “nevojat reale të serbëve, duke respektuar realitetin – bashkëjetesën mes serbëve dhe shqiptarëve”.

“Ata, në këtë moment, e kanë në masë të madhe mbështetjen e popullsisë së vetëdijshme serbe – me çfarë kam parasysh ata që e kanë kuptuar se Beogradi po manipulon me ta dhe nuk ofron asnjë projekt për krijimin e kushteve më të mira për mbijetesën e tyre”, thotë Trajkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Vuçkoviq: Ka nevojë për ndryshime

Ivan Vuçkoviq, asamblist në Kuvendin e Komunës së Leposaviqit nga nisma qytetare Rrënjët, thotë se nevojat e përditshme dhe problemet me të cilat përballen bashkëkombësit e tij, kanë qenë kyç për bashkimin e një pjese të opozitës serbe.

“Do të kujdesemi për njeriun. Për ne është e rëndësishme që qytetari i thjeshtë të ndiejë se ka një lloj mbrojtjeje. Si një forcë e re, mendoj se mund të jemi edhe peshore vendimtare, kur bëhet fjalë për disa vendime të ardhshme të rëndësishme”, thotë ai.

Ai shpjegon se lista “Bashkë fitojmë” përbëhet nga aktorë politikë nga veriu dhe jugu i Kosovës.

Sipas tij, kjo marrëveshje për dalje të përbashkët në zgjedhje ka kërkuar kompromis nga të gjitha palët.

“Ka nevojë për ndryshime. Bashkimi sjell shpresë për ndryshime, mënyra tjera veprimi dhe mundësi për realizimin e ideve të reja. Prandaj, kemi vendosur t’i bashkojmë të gjithë aktorët relevantë opozitarë”, thotë Vuçkoviq.

Ai shton se shumica e subjekteve politike tashmë kanë asamblistë në komunat me shumicë serbe dhe se qytetarët janë të njohur me punën e tyre në nivel lokal.

“Njerëzit kanë pasur mundësi të shohin se si punojmë dhe për çfarë angazhohemi. Me këto ide të reja duam të marrim pjesë edhe në zgjidhjen e problemeve në nivel qendror. Mendoj se si ide e re politike, kemi shanse të mëdha që të jemi – nëse jo faktor vendimtar – një forcë që do të tërheqë një numër të madh njerëzish dhe do të dërgojë mesazhin se asgjë më nuk do të jetë njësoj në skenën politike të Kosovës”, thotë Vuçkoviq.

Ai shpreh edhe bindjen e tij personale se opozita e bashkuar serbe nuk i përshtatet as Prishtinës e as Beogradit, “sepse ajo që na bën ndryshe, është se nuk jemi të parashikueshëm”.

“Opozita serbe po piqet politikisht”

Saviq, nga organizata joqeveritare “Aktiv”, thotë se me bashkimin e opozitës serbe, mund të shihet një nivel i caktuar i pjekurisë politike, si dhe një përpjekje për t’u ofruar qytetarëve një “alternativë shumë të nevojshme”.

“Ndoshta edhe më e rëndësishme është se një hap i tillë mund të krijojë përshtypjen e një serioziteti më të madh politik te qytetarët, sepse tregon gatishmërinë e aktorëve të ndryshëm që, pavarësisht dallimeve të caktuara, të bashkohen rreth një ideje të përbashkët dhe të përpiqen të ofrojnë një alternativë ndaj politikave ekzistuese”, thotë Saviq.

Ai thekson se suksesi i opozitës në zgjedhjet e ardhshme do të varet edhe nga “aftësia e saj për të ofruar program serioz dhe për t’u aktivizuar në terren”.

Megjithatë, ai nuk është i sigurt se lista “Bashkë fitojmë” mund të rrezikojë seriozisht dominimin e Listës Serbe apo të Rashiqit, pasi “të dyja opsionet politike kanë mbështetje të rëndësishme, institucionale dhe financiare – njëra nga Beogradi, tjetra nga Prishtina”.

Nga shkurti i vitit të kaluar, në Kosovë janë mbajtur dy cikle zgjedhore për Kuvendin e Kosovës, si dhe dy runde të zgjedhjeve lokale, ndërsa gjatë fushatave ka pasur akuza për përdorim të burimeve shtetërore të Kosovës dhe Serbisë për “blerje votash”.

Ndaj Listës Serbe janë ngritur kryesisht akuza për “blerje” votash përmes konkurseve për vende pune në shëndetësi dhe ndihmës financiare për të papunët nga buxheti i Serbisë, ndërsa Rashiq është akuzuar se votat “e sigurta” i merr përmes shpërndarjes së pajisjeve shtëpiake, materialeve ndërtimore dhe subvencioneve bujqësore nga Qeveria e Kosovës.

Trajkoviq: Opozita serbe ka “një shans historik”

Trajkoviq, politikane nga Kosova që aktualisht jeton në Beograd, vlerëson për REL-in se opozita serbe në Kosovë ka një “shans historik” për të ndërtuar një projekt që nënkupton adresimin e problemeve reale të pjesëtarëve të komunitetit serb, si dhe ndërtimin e një komunikimi të mirë me shumicën shqiptare.

“Pa të drejtat e serbëve nuk ka stabilitet në Kosovë, por as pa mbështetjen aktive të bashkësisë ndërkombëtare. Është e rëndësishme që të kenë edhe një organ këshillues, por ata kanë ide të mira dhe të shëndosha. Koha për veprimin e opozitës është e duhur, sepse populli është i vetëdijshëm se është lënë pas nga Beogradi. Po ashtu, është i vetëdijshëm se Kurti nuk është adresë që u ofron perspektivë për mbijetesë”, thotë ajo.

Pikërisht politika e Listës Serbe dhe e Rashiqit, sipas Trajkoviqit, i jep listës “Bashkë fitojmë” perspektiva të mira për sukses.

Në këtë kontekst, ajo thekson se Lista Serbe me ish-nënkryetarin e saj, Millan Radoiçiq, ka “ngarkuar hipoteka” mbi komunitetin serb, në kuptimin e “kriminalizimit, komprometimit të mbijetesës dhe qëndrueshmërisë”.

Sipas saj, një numër i madh banorësh është larguar nga Kosova pas sulmit në Banjskë në vitin 2023.

Për këtë sulm, ku është vrarë një polic i Kosovës, përgjegjësinë e ka marrë nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Kjo parti nuk është distancuar prej tij as pas sulmit.

Trajkoviq thekson, gjithashtu, se politika e Rashiqit nuk ofron një mbijetesë të qëndrueshme për komunitetin serb në Kosovë, pasi ai nuk ka arritur t’i rezistojë politikës “jo të mirëseardhur” të Kurtit, por ka mbështetur shumë nga veprimet e tij.

Qeveria e drejtuar nga Kurti, në dy-tre vjetët e fundit, ka mbyllur pothuajse të gjitha institucionet serbe në Kosovë, duke i konsideruar ato paralele dhe ilegale, ka hequr nga përdorimi targat serbe të makinave dhe dinarin serb, si dhe ka vepruar për të forcuar pushtetin në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Pjesëtarët e komunitetit serb i kanë cilësuar këto masa si “diskriminuese”.

Saviq mendon se për gjendjen aktuale më të vështirë të komunitetit serb në Kosovë, përgjegjës janë aktorët politikë të Listës Serbe, pasi, siç thotë, ata kanë pasur kontroll pothuajse të plotë mbi përfaqësimin politik të serbëve dhe institucionet brenda sistemit kosovar.

“Megjithatë, kjo politikë ka pasur legjitimitet demokratik dhe mbështetje nga shumica e votuesve, prandaj zgjedhjet e ardhshme do të tregojnë nëse qytetarët vërtet duan ndryshime apo do të vazhdojnë të mbështesin politikën e deritanishme”, thotë ai.

Prej se është themeluar në vitin 2013, Lista Serbe i ka fituar bindshëm zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Kosovë – me mbi 90 për qind të votave të pjesëmarrësve.

Për herë të parë, ajo ka humbur një mandat deputeti në zgjedhjet e shkurtit 2025 dhe nuk është pjesë e Qeverisë që nga largimi nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

ShareTweet

Postime të ngjashme

Mehmeti: LDK është shndërruar në parti që synon të shpëtojë Abdixhikun dhe nderin e Osmanit

Mehmeti: LDK është shndërruar në parti që synon të shpëtojë Abdixhikun dhe nderin e Osmanit

Mehmeti: Kurti jashtë konkurrencës në Kosovë, s’do ketë betejë me Osmanin

Mehmeti: Kurti jashtë konkurrencës në Kosovë, s’do ketë betejë me Osmanin

Kurti viziton Kalanë e Prizrenit, njofton për investime afër 450 mijë euro

Kurti viziton Kalanë e Prizrenit, njofton për investime afër 450 mijë euro

Përmbyllet afati, LVV e vetme nga paritë e mëdha me koalicion

Emra të ri i futën garës, të vjetrit heqin dorë

Me një listë të vetme, opozita serbe në Kosovë synon ndryshime politike

Me një listë të vetme, opozita serbe në Kosovë synon ndryshime politike

Mehmeti: LDK është shndërruar në parti që synon të shpëtojë Abdixhikun dhe nderin e Osmanit

Mehmeti: LDK është shndërruar në parti që synon të shpëtojë Abdixhikun dhe nderin e Osmanit

Mehmeti: Kurti jashtë konkurrencës në Kosovë, s’do ketë betejë me Osmanin

Mehmeti: Kurti jashtë konkurrencës në Kosovë, s’do ketë betejë me Osmanin

Trepça udhëheq 2:0 serinë finale të Play-Offit, ndaj Bashkimit

Trepça udhëheq 2:0 serinë finale të Play-Offit, ndaj Bashkimit

Kurti viziton Kalanë e Prizrenit, njofton për investime afër 450 mijë euro

Kurti viziton Kalanë e Prizrenit, njofton për investime afër 450 mijë euro

Arbër Hoxha e fiton Kupën e Kroacisë me Dinamon

Arbër Hoxha e fiton Kupën e Kroacisë me Dinamon

Futbollistet e Dukagjinit e fitojnë Kupën e Kosovës

Futbollistet e Dukagjinit e fitojnë Kupën e Kosovës

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën