Qeveria e Kosovës dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjecarit të Qeverisë, kanë lansuar programin më të madh energjetik në vend.
Pjesëmarrës në këtë lansim ishte edhe kryeministri, Albin Kurti, me ç’rast ka thënë se kontributi i Qeverisë prej 34.7 milionë dollarësh, dëshmon angazhimin e tyre ndaj këtij programi.
“Programi Kompakti i Kosovës është investimi më i madh në vendin tonë në sektorin energjetik. Kontributi i konsiderueshëm i Qeverisë prej 34.7 milionë dollarësh shërben si një dëshmi për angazhimin e Qeverisë sonë si ndaj këtij programi, ashtu edhe ndaj transformimit të sektorit tonë të energjisë. Ne ndajmë me MCC vlerat e saj thelbësore: një qasje e orientuar drejt rezultateve me transparencë, llogaridhënie dhe me pronësinë e vendit në qendër. Kjo është ajo që shpjegon bashkëpunimin tonë të shkëlqyer që nga fillimi i mandatit tonë”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkaq, zëvendëspresindeti i MCC-së për Departamentin e Operacioneve Kompakt, Cameron Alford, ka thënë se ky kompakt do të shërbejë si gurthemel i tranzicionit të Kosovës drejt energjisë së gjelbër, duke rritur kështu sigurinë energjetike të vendit, njëherit duke nxitur transformimin e tij socio-ekonomik.
“Kompakti do të shërbejë si gur themeli i tranzicionit të Kosovës drejt energjisë së gjelbër, duke rritur sigurinë energjetike të vendit dhe duke nxitur transformimin e tij socio-ekonomik. MCC është krenare që është partnere me Qeverinë e Kosovës për të filluar zyrtarisht fazën e zbatimit të kompaktit për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme, më të ndritshme dhe më të barabartë energjetike për të gjithë kosovarët”, tha Alford.
Programi Kompakt është investimi më i madh energjetik në vend në dekadat e fundit. Deri në fund të vitit 2027, parashikohet që Kosova të ketë kapacitetin më të madh të baterive në botë për kokë banori.
Sot, në një ngjarje ceremoniale në kryeqytetin e Kosovës, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Zëvendëspresidenti i Operacioneve Kompakt në Korporatën Amerikane të Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) Cameron Alford, nënshkruan marrëveshjen e hyrjes në fuqi./teve1.info/.