Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me presidentin e Senatit të Francës, Gérard Larcher, në prag të pjesëmarrjes në Forumin e Paqes në Paris.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se gjatë takimit ka shprehur mirënjohjen për rolin e Francës në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të saj në zhvillimin e vendit.
Sipas Kurtit, në takim është diskutuar për stabilitetin institucional dhe politik në Kosovë, planet e Qeverisë për mandatin e ri, si dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ai ka përmendur si fusha prioritare të Qeverisë infrastrukturën hekurudhore dhe sportive, ndërtimin e digave dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Po ashtu, në fokus të bisedimeve kanë qenë reformat në drejtësi, arsim dhe administratë publike, si dhe përparimi demokratik dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës.
Kryeministri Kurti ka theksuar se Kosova është plotësisht e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, duke vlerësuar se marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim do të përbënin hapa të rëndësishëm për avancimin e vendit.
“Republika e Kosovës është tërësisht e linjëzuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, andaj statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim, përveçqë vendime të drejta, do të ishin shtysë për përparim të gjithmbarshëm”, ka shkruar ai.
Në fund, Kurti ka nënvizuar rëndësinë e mbështetjes franceze për integrimin evropian të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në NATO, duke theksuar se këto procese do të kontribuonin në paqen dhe sigurinë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.
“Roli mbështetës i Francës për avancimin e Republikës sonë në këtë proces është i rëndësishëm, sikurse në atë të anëtarësimit në NATO, që do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjate të Ballkanit Perëndimor dhe mbarë Evropës”, ka theksuar Kurti./teve1.info/







