Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti ka zhvilluar konsultime politike në Ankara me homologun e tij turk, Kemal Mehmet Bozay.
Gjatë konsultimeve sipas komunikatës u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, si dhe vullneti për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
“Gjatë takimit u diskutua për marrëveshjet që janë në proces, veçanërisht në fushat e mbrojtjes, sigurisë, arsimit dhe turizmit, me synim avancimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Poashtu, u bisedua edhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, si dhe avancimin e procesit të integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Ndër tjerash, sic është thënë në njoftim të dy zëvendësministrat shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në rajon dhe në nivel global, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë./teve1.info/







