Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka deklaruar se dy ditë më parë është takuar me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Limaj ka thënë se ndër të tjera me Konjufcën kanë biseduar edhe për atë se si të dilet nga situata aktuale e moskonstituimit të Kuvendit.
“Unë jam i gatshëm që të takohem kurdo që kam ftesë, jam i gatshëm të takohem me të gjithë. Po kemi pi kafe me Glaukun, para dy dite, edhe mirë shumë. Konjufca është, ka qenë kryetar i Kuvendit, drejtues institucionesh, dhe është mëse normale të bisedojmë për zhvillimet. Eshtë më se normale të bashkëbisedojmë për zhvillimet, për shqetësimet, për atë që sot Kosova është dhe është gjëja më normale që të bisedojmë dhe të trajtojmë tema se si të dalim nga kjo situatë”, ka thënë Limaj para fillimit të seancës konstituive.
Ai ka shtuar se shpreson që shumë shpejt të bëhet shumica e nevojshme parlamentare për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe ‘gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur’.
“Ka mundësi të shkojë siç ka shkuar deri më tani nuk kemi ndonjë informacion por po shpresoj dhe po besoj që sa më shpejt të bëhet ajo shumicë parlamentare dhe gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur. Kjo duhet të bëhet ashtu siç është bërë gjithmonë me një marrëveshje politike me shkrim e publikuar dhe pastaj gjërat shkojnë në rrugën e duhur”, është shprehur ai.