Kryetema mes grupit parlamentar të LDK-së, ishte takimi i një natë me parë mes kryetarit të partisë dhe kryeministrit në detyrë.
Para mbledhjes, nënkryetarja Hykmete Bajrami kërkoi balancin e pushteteve.
Sipas saj, kjo arrihet nëse LDK-së i jepet pozita e presidentit.
“Kur kemi marrëveshje të tilla ku do të thosha ofrohet nga zoti Kurti disa pozita në qeveri të cilat në fakt pas disa javëve edhe mund t’i marrë, po edhe marrëveshje të tjera ku LDK-ja potencialisht mund ta marrë pozitën e presidentit dhe kjo konsideroj që është një balancë e pushteteve për Kosovën dhe pastaj natyrisht që do ta konsiderojmë me shumë seriozitet”, tha Bajrami.
E deputeti i zgjedhur nga ky subjekt, Arben Gashi, tha se mbledhja u ftua nga vet kryetari.
“Thash që na kanë thirr me na tregu çka kanë diskutuar dje. Sidoqoftë, në parim unë kam thënë edhe dy palë zgjedhje të e kaluara që nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt tjetër. Por duhet të shohim programin, duhet të shohim idetë, duhet të shohim të ardhmen e Kosovës, duhet të shohim se si do të qeveriset vendi, duhet të shohim cili është raporti i Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, këto janë temat kryesore, tha Gashi.
Takimi që nisi në ora 14:00 zgjati një orë e gjysmë.
Ndërsa detaje se çka u diskutua aty, nuk i dha i pari i partisë.
E para gazetarëve pas mbledhjes u ndal Armend Zemaj.
Edhe ky i fundit e përsëriti qëndrimin se ndarja e pushteteve duhet të jetë e balancuar.
“Kemi pasur dje konferencë. Asgjë të re nga ato që e keni dëgjuar. Është transparencë e plotë përkundër atyre që janë çfarë janë diskutimet e brendshme që i bëjnë partitë politike. Por qëllimi mbetet i njëjtë, arsyetimi është i njëjtë: legitimimi i shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme nuk e konverton qytetarët e Republikës së Kosovës dhe barra e përgjegjësisë bie mbi për krijimin e institucioneve të reja”, tha Zemaj.
Ndryshe, në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK përfundoi si subjekti i tretë më I votuar në vend.






