Në këtë konferencë, pjesëmarrës ishin përfaqësues nga partitë politike, shoqëria civile, biznesi, media dhe akademia.
Në hapje të saj foli Nancy Soderberg, drejtoreshë e NDI-së në Kosovë, e cila falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në përvjetorin e dhjetë jubilar të Javës së Gruas, ngjarje të cilën, siç tha ajo, e bën edhe më të veçantë manifestimi i saj në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Soderberg shprehu mirënjohje për angazhimin e mbi 900 grave dhe burrave, të cilët për dhjetë vite radhazi iu dedikuan luftës për drejtësi e barazi gjinore, në të gjitha nivelet, me qëllim të ndërtimit dhe avancimit të sistemit demokratik në Kosovë. Ndër të tjera Soderberg lartësoi figurën e ish-sekretares Madeleine Albright, për të cilën tha se angazhimi për pjesëmarrje të barabartë në shoqërinë kosovare dhe më gjerë ishte i pakontestueshëm.
Tutje, fjalën e mori Kerry Monaghan-Hogler, u. d. drejtore e misionit të USAID-it në Kosovë, e cila falënderoi të gjithë ata të cilët kontribuuan në realizimin e qëllimeve e aktiviteteve të organizuara nga “Java e Gruas” (WOW).
Monaghan-Hogler përmendi disa prej iniciativave të të angazhuarve të WOW, siç janë: integrimi i komuniteteve joshumicë në shoqërinë kosovare, avokimi për fëmijët me nevoja të veçanta, promovimi i paqes ndëretnike etj.
Më pas diskutimeve iu bashkëngjit virtualisht edhe Dina Titus, anëtare e Kongresit Amerikan, e cila tha se ndihet e privilegjuar të jetë pjesë e një organizimi të tillë, i cili, sipas saj, kupton dhe promovon rëndësinë e fuqizimit të grave në shoqëri.
Tutje, foli edhe deputeti i Parlamentit Evropian, Robert Biedroń, i cili ndër të tjera tha se ideja për barazinë gjinore rrjedh nga komiteti i të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, dhe se Parlamenti Evropian i qëndron prapa kësaj iniciative.
Ngjarja e Javës së Gruas vazhdoi me folësin e radhës, ambasadorin e Kanadasë në Kroaci dhe Kosovë, Alan Bowman, i cili si përkrahës i Javës së Gruas shprehu entuziazëm për realizimin e këtij eventi jubilar. Bowman theksoi se shoqëria duhet t’i përfshijë gratë më shumë si në biznese, në shërbime ushtarake etj. dhe se duhet të investohet më shumë në fuqizimin e vajzave dhe grave në shoqëri.
Tutje, në kuadër të kësaj ngjarjeje u zhvillua një bisedë me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, nga gazetarja, njëherësh anëtare e Bordit në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, Naile Dema Selmani, me temën “Roli i Kuvendit në sigurimin dhe mbrojtjen e gjithëpërfshirjes politike”.
Gjatë kësaj bisede kryetari Konjufca tha se Kuvendi ka rol qendror dhe jetik në të gjitha zhvillimet politike, por edhe në sigurimin dhe mbarëvajtjen e demokracisë. Andaj, si i tillë, shtoi kryetari Konjufca, Kuvendi është i obliguar ta çojë përpara barazinë gjinore dhe të krijojë mekanizma për mbikëqyrjen e Qeverisë e të ministrive përkatëse, se sa po zbatohet legjislacioni mbi drejtësinë gjinore.
Më pas, kryetari Konjufca duke iu përgjigjur pyetjeve të parashtruara nga ana e pjesëmarrësve, ndër të tjera ai theksoi se luftimi i pabarazisë gjinore duhet të bëhet në mënyrë të mobilizuar nga gratë dhe burrat, duke e ngritur zërin për çdo diskriminim eventual, në mënyrë që padrejtësi të tilla të zhduken në tërësi.
Sipas komunikatës së Kuvendit, konferenca vazhdoi me panelin e radhës, me temën “Gjinia në demokraci: pritshmëritë për gjithëpërfshirje në procesin e zhvillimit të politikave” i cili u moderua nga Drejtori Ekzekutiv i “Qendrës së Debatit”, Erblin Hoxha, me pjesëmarrjen e pesë panelistëve deputetë: Shqipe Mehmeti Selimi, Ganimete Musliu, Hykmete Bajrami, Time Kadrijaj dhe Fridon Lala.
Në përmbyllje të kësaj ngjarjeje Nancy Soderberg citoi ish-sekretaren amerikane Albright, me thënien: “Unë besoj në demokraci, sepse demokracia është i vetmi sistem i cili beson tek ne”./kp