Sipas Hotit, asnjë qeveri nuk guxon të mendojë të nisë luftë, por sipas tij, ajo çka mund të ndodhë në Kosovë është përballja e Kosovës me kolapsin ekonomik.
“Asnjë qeveri në rajon nuk mundet dhe nuk guxon të mendoj të nis luftë. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë në NATO. Ndërkaq, NATO-ja është e vendosur në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. Serbia është e rrethuar me anëtarë të NATO-s. E gjitha çfarë mund të jetë e pritshme të ndodh, është përballja e Kosovës dhe rajonit me kolaps ekonomik dhe demografik. Gjithmonë nëse nuk zbatohen politikat e duhura, nëse nuk lëvizet më shpejt drejt integrimit evropian dhe nëse nuk zgjidhen mosmarrëveshjet ekzistuese”, shkroi Hoti në Facebook.
Ai madje tha se disa politikan, duke iu referuar Kurtit, po e përmendin luftën për ti mbuluar dështimet në qeverisje.
“Disa politikanë që e përmendin luftën, e bëjnë për të mbuluar dështimin në qeverisje. E bëjnë për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga kriza energjetike, inflaconi i lartë e pakënaqësitë sociale”, shkroi tutje ai.
Kurse sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia është kërcënim për paqen në Ballkanin Perëndimor sepse ajo po armatoset nga Kina dhe Rusia.