Janë gjithsejtë 14 zyrtarë publikë që nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre brenda afateve ligjore në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Në mesin e tyre janë zyrtarë që punojnë në kryeministri, ministri të ndryshme e komuna.
Dikush nga ta u arsyetua që nuk është shtetas i Kosovës dhe nuk mendon që duhet deklaruar pasurinë. Teksa, dikush tjetër tha se nuk e ka pranuar njoftimin nga zyrtari përgjegjës.
“Nga të dhënat që posedojmë ka raste të zyrtarëve që janë në paraburgim, raste që janë arsyetuar se kanë keqkuptuar afatin e deklarimit, raste që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe nuk mendojnë që duhet deklaruar pasurinë, raste që kanë paraqitur arsye shëndetësore”, tha Lumnije Demi nga Agjencioni Kundër Korrupsion.
Nga këto 14 raste, tri janë në paraburgim, tetë raste janë në procedurë të hetimit, për dy raste janë përcjellë kallëzime penale, ndërsa për një rast është dërguar informatë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Rreze Hoxha Zhuja nga GLPS tha se zyrtarët që nuk e deklarojnë pasurinë mund të dënohen me burgim deri në tri vjet.
“Si vepër penale mosdeklarimi i pasurisë dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 vite ndërsa deklarimi i rremë dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 5 vite”, tha ajo.
Por, drejtorja e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Namani thotë se nuk ka ndodhur ende që një zyrtar të mbahet në burg shkaku i mosdeklarimit të pasurisë.
“Nga ajo që kemi parë, zakonisht këta persona që nuk e deklarojnë pasurinë, dënohen me gjobë. Nuk kemi pa dikë që është dënuar me tri vjet burg ashtu siç e thotë kodi”, tha ajo.
Në vitin e kaluar pasurinë nuk e deklaruan brenda afateve 109 zyrtarë publikë.
Raporti i gazetarit Gojart Jashari.