Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rezolutën që lidhet me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Me 90 vota për një kundër dhe asnjë abstenim.
Rezoluta u propozua nga PDK.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu kërkoi që në këtë rezolutë të shtohet edhe një pikë, ku kërkohet që të zbardhen të gjitha vrasjet e pasluftës.
Por, Përparim Gruda nga PDK tha se rezoluta është propozuar nga disa ekspertë dhe se e sheh të pamundur të ndryshohet teksti.
Kryetareje Kuvendit Albulena Haxhiu tha se për këtë rezolutë janë pajtuar edhe në kryesinë e Kuvendit dhe se siç tha ajo në rrethanat aktuale është e detyruar ta hedhë në votim.
LDK nuk mori pjesë në votim.
Përmbajtja e rezolutës:
KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar gjithashtu parimet e transparencës, llogaridhënies dhe kultivimit të besimit të publikut në drejtësi.
KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të akuzuarve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerëve, përfshirë edhe detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
KËRKON nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara, përgjegjësia ekskluzive e të cilit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që të veprojë me pavarësi dhe paanësi të plotë në ushtrimin e këtij funksioni, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe aktet e standardeve ndërkombëtare lidhur me këtë funksion.
INKURAJON të gjitha shtetet demokratike, përfshirë ato financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të bashkohen në thirrjen tonë për respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm – standarde këto që burojnë nga tradita kushtetuese e të gjitha shteteve demokratike dhe akteve e rekomandimeve të miratuara nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë, por pa u kufizuar, nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
INKURAJON mekanizmat monitorues për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, për monitorim të shtuar të pajtueshmërisë së funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në procese gjyqësore dhe raportimin e shkeljeve të evidentuara.
KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin për sigurimin e të gjitha mekanizmave, përfshirë ato financiare, në mbështetje të të drejtave të mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara.
KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin e plotë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për afirmimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shenjtërisë së historisë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.
LDK nuk mori pjesë në votim./teve1.info/




