Aktgjykimi në fjalë është marrë më 7 dhjetor 2022, ku thuhet se kërkesa ishte e pranueshme, pushimi i veprimtarisë së institucionit edukativ-arsimor ose paraleles së ndarë, të Udhëzimit Administrativ të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe si të tilla, shfuqizohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Udhëzimit Administrativ të kontestuar, Gjykata, njëzëri vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) neni 3 (Themeluesi), paragrafët 5, 6 dhe 7 të nenit 6 (Verifikimi i kushteve), paragrafët 2 dhe 3 të nenit 7 (Vendimi) dhe paragrafët 6, 7 dhe 8 të nenit 9 (Pushimi i veprimtarisë së institucionit edukativ-arsimor ose paraleles së ndarë) të Udhëzimit Administrativ të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafin 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe me paragrafin 2 dhe 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe si të tilla, shfuqizohen”, thuhet në njoftim.
Në vendimin e Kushtetueses thuhet se thelbi që ngërthejnë rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me kompetencat që i janë përcaktuar pushtetit qendror, përkatësisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në njërën anë, dhe pushtetit lokal, përkatësisht komunave në anën tjetër, përkitazi me themelimin e institucioneve edukative-arsimore dhe paraleleve të ndara në komuna, përmes Udhëzimit të lartcekur Administrativ.
“I njëjti, ndër tjerash, saktëson se vendimi për themelimin dhe pushimin e institucioneve edukative-arsimore dhe paraleleve të ndara të nivelit parauniversitar, merret nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, bazuar në propozimin e komunës përkatëse. Vendimmarrja në nivel të pushtetit qendror, përkatësisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përkitazi me themelimin/pushimin e institucioneve edukative-arsimore dhe paraleleve të ndara në nivel parauniversitar, sipas parashtruesit të kërkesës, cenon përgjegjësitë komunale, në kundërshtim me dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ato të ligjeve të aplikueshme për Arsimin Parauniversitar, Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës dhe për Vetëqeverisje Lokale, sipas të cilit, “ofrimi i arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, pagesën e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve dhe administratorëve të arsimit”, përbën kompetencë vetanake të komunave dhe si e tillë, është kompetencë e “plotë dhe ekskluzive” në nivel komunal”, thuhet në vendim.
Po ashtu, Kushtetuesja rithekson se njësi themelore territoriale e vetëqeverisjes lokale në Kosovë janë komunat, e që organizimi dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes lokale rregullohen me ligj.
“Gjykata, duke u bazuar në nenet 12, 123 dhe 124 të Kushtetutës, respektivisht, ndër të tjerash, ritheksoi se: (i) njësi themelore territoriale të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës janë komunat; (ii) organizimi dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes lokale rregullohen me ligj; (iii) komunat kanë kompetenca “vetanake”, “të zgjeruara” dhe “të deleguara”; dhe (iv) rishikimi administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutën dhe me ligjin. Për më tepër, bazuar në këto nene kushtetuese, Gjykata theksoi që, veprimtaria e organeve të vetëqeverisjes lokale bazohet në Kushtetutë dhe në ligje dhe respekton Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Kjo e fundit, ndër të tjerash, dhe për aq sa është e rëndësishme për rrethanat e rastit konkret, përcakton që: (i) autoritetet lokale, brenda kufijve të ligjit, do të kenë diskrecionin e plotë për të ushtruar iniciativën e tyre në lidhje me çdo çështje që nuk përjashtohet nga kompetenca e tyre dhe nuk i është caktuar në kompetencë ndonjë autoriteti tjetër; (ii) kompetencat që u besohen autoriteteve lokale, normalisht duhet të jenë të plota dhe ekskluzive dhe ato nuk mund të minohen apo të kufizohen nga një autoritet tjetër, qendror apo rajonal, përveç siç përcaktohet me ligj; dhe (iii) çdo kontroll administrativ mbi autoritetet lokale mund të ushtrohet vetëm sipas formave dhe në rastet e parashikuara nga Kushtetuta ose me ligj”, thuhet më tej.
Kushtetuesja vlerëson se sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, komunat kanë kompetenca “të plota dhe ekskluzive” në ofrimin e arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, pagesën e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve dhe administratorëve të arsimit.
“Në anën tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, bazuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjin për Arsimin në Komuna, ndër tjerash, mban përgjegjësinë kryesore për planifikimin, caktimin e standardeve dhe sigurimin e cilësisë së sistemit të arsimit parauniversitar, dhe ka përgjegjësinë të promovojë dhe të përmirësojë cilësinë dhe efikasitetin e arsimit dhe aftësimit përmes inspektimit të arsimit, monitorimit dhe vlerësimit me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendim.
Lidhur me atë nëse Udhëzimi Administrativ i kontestuar cenon përgjegjësitë komunale, gjykata theksoi se kompetenca për vendimmarrje të plotë të pushtetit qendror për themelimin dhe shuarjen e institucioneve të nivelit parauniversitar në komuna, që i është dhënë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës përmes neneve 3, 6, 7 dhe 9 të Udhëzimit Administrativ të kontestuar, cenon “kompetencat vetanake” të komunës.
“Kjo sepse, bazuar në mënyrën e saktësuar në dispozitat përkatëse të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, Ligjin për Arsimin në Komuna dhe Ligji për Arsimin Parauniversitar, vendimmarrja për themelimin e institucioneve të nivelit parauniversitar i takon komunave. Ndërsa, sa i përket neneve 4 (Kushtet për themelimin e institucionit edukativ-arsimor ose paraleles së ndarë) dhe 5 (Propozimi për themelimin e institucionit edukativ-arsimor ose paraleles së ndarë) të Udhëzimit Administrativ të kontestuar, të cilat, ndër tjerash, përcaktojnë kompetencën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të përcaktuar kushtet që duhet të plotësojnë institucionet edukative-arsimore dhe paralelet e ndara, dhe dokumentacionit të nevojshëm përmes të cilit mund të vërtetohet plotësimi i të njëjtave, Gjykata vlerësoi se të njëjtat nuk cenojnë “kompetencat vetanake” komunale”, thuhet tutje në vendim.
“Gjykata përfundimisht ritheksoi se, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 123 të saj, vetëqeverisja lokale është e garantuar dhe e rregulluar me ligj dhe bazuar në nenin 124 të saj, çdo rishikim administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutë dhe ligj. Në kuptim të kësaj, Gjykata theksoi se pushteti qendror dhe në rrethanat e rastit konkret, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përmes akteve nënligjore nuk mund t’i përcaktojë vetes kompetenca që nuk i janë përcaktuar me ligj të miratuar nga Kuvendi i Republikës, e të cilat kompetenca mund të ndërhyjnë në veprimtarinë e vetëqeverisjes lokale në fushën e arsimit apo të cenojnë përgjegjësitë komunale në këtë fushë. Një parim i tillë, në kuptim të vetëqeverisjes lokale, buron edhe nga dispozitat e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Gjykata vëren se, Kushtetuta dhe ligjet e aplikueshme qartësisht saktësojnë ndarjen e kompetencave përkatëse, duke përfshirë edhe në fushën e arsimit dhe që të dy nivelet e qeverisjes, janë të detyruara të veprojnë në përputhje të plotë me të njëjtat”, thuhet në fund. /BetimipërDrejtësi