Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vizita në Britaninë e Madhe dhe Irlandë është dakorduar në vitin e kalaur dhe kjo ka qenë arsyeja pse ka munguar fizikisht në takimin e radhës të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë.
Kurti në këtë samit ka marrë pjesë në virtualisht, ku ka thënë se Kosova vazhdon ta mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj në luftën kundër Rusisë.
“Përgatitjet dhe dakordimi për vizitën në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë ishin bërë në vitin e kaluar dhe për këtë arsye e kisha të pamundur të merrja pjesë në takimin e radhës të liderëve të Ballkanit Perëndimor Gjashtë (BP6), në Tiranë”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka theksuar se përkrah bashkëpunimin rajonal përmes Procesit të Berlinit bazuar në rregullat dhe vlerat e BE-së.
“Megjithëkëtë, në konferencën e sotme në Tiranë me titull “Plani i Rritjes dhe Konvergjenca”, isha pjesëmarrës virtualisht përmes një videomesazhi ku theksova mbështetjen dhe solidaritetin e Republikës së Kosovës me Ukrainën dhe popullin e saj; bashkëpunimin dhe integrimin Rajonal përmes Procesit të Berlinit bazuar në rregullat dhe vlerat e BE-së; përkrahjen dhe përkushtimin për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian që mundëson lidhjen graduale me Tregun Unik të BE-së; përkushtimin në reforma dhe pritjet për samitin e radhës të Procesit të Berlinit dhe Planin e Ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (TPR)”, është shprehu ai në Facebook.
Pas vizitës në Mbretërinë e Bashkuar, Kurti ka udhëtuar për në Dublin të Irlandës. Në kryeqytetin e Irlandës, sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti do të pritet dhe takohet me Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.
“Gjatë qëndrimit atje, kryeministri Kurti po ashtu do të zhvillojë edhe disa takime tjera zyrtare dhe do të mbajë takimin e tij të parë me mërgatën e Kosovës në Irlandë”, thuhet në njoftim.
/teve1.info/








