Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar qitje me municion luftarak nga mortaja 120 mm e sistemit “Vuran”, në poligonin e qitjes në Bizë të Shqipërisë.
Sipas njoftimit të FSK-së, aktiviteti është zhvilluar në kuadër të avancimit të kapaciteteve operacionale të Mbështetjes Luftarake të Komandës së Forcave Tokësore (KFT).
Qitjet janë realizuar nga bateritë e Regjimentit të Mbështetjes Luftarake (RML), ku është vlerësuar zbatimi i procedurave për planifikimin dhe ekzekutimin e mbështetjes luftarake përmes zjarrit indirekt.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Forcave Tokësore të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Ndërkaq, aktivitetin e ka vizituar komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, i shoqëruar nga stafi i tij dhe atasheu ushtarak i FSK-së në Shqipëri.
Sipas FSK-së, gjatë ushtrimit është dëshmuar profesionalizmi i pjesëtarëve të RML-së në zbatimin e procedurave të sigurisë dhe përdorimin e mortajës 120 mm të sistemit “Vuran”.
Me këtë rast, gjeneral brigade Lladrovci ka falënderuar përfaqësuesit e Forcave të Armatosura të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe pjesëtarët e RML-së për angazhimin në zhvillimin e kapaciteteve operacionale të njësisë.




